Sorrat mund të krijojnë vegla vet: Shpezët e zgjuara bashkojnë copëzat e shiringave, për të nxjerrë ushqimet e fshehura prej shkencëtarëve (Video)

E publikuar: 25/10/2018 04:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hulumtimet e kryera në Universitetin e Oksfordit, tregojnë se sorrat mund të krijojnë vegla nga dy ose më shumë përbërës, mundësi që kryhet vetëm prej njerëzve dhe disa majmunëve.

Këto shpezë arritën që të shfrytëzojnë gjësendet e ndryshme, që të improvizojnë vegla, me të cilat mund të nxjerrin kafshatat e ushqimeve, që i kanë fshehur shkencëtarët, transmeton Telegrafi.

Në njërin prej eksperimenteve, atyre iu lanë shiringa të çmontuara, të cilat i bashkuan, edhe pse nuk e kishin parë më herët ndonjë demonstrim të tillë.

Sipas hulumtuesve, mundësia që sorrat të krijojnë objekte, që nuk i kanë parë kurrë, mund të krahasohet me nivelin e inteligjencës që e ka një fëmijë i vogël.

Shpezët në eksperiment, janë speciet e njohura si sorrat New Caledonian – vendase në ishujt e Paqësorit dhe një pjesë të Australisë.

Me veglën që e mbanin në sqep, arrinin ta lëviznin copëzën e ushqimit të fshehur në kuti, që e fusnin nëpërmjet një hapësire të ngushtë.

Njëri prej protagonistëve në eksperiment që quhet Mango, ishte më i afti pasi arriti t’i bashkonte deri në katër pjesë në krijimin e veglës ndihmëse.

Mundësinë e krijimit të veglave, antropologët e konsiderojnë si një nivel të lartë të zhvillimit të trurit të tyre.

Fëmijët marrin mjaft kohë derisa krijojnë vegla, pasi truri tyre ende nuk e ka zhvilluar logjikën që të krijojë diçka me të cilën do të ndihmohet, pa pasur mundësi ta shihte më parë. /Telegrafi/