Shoqëria civile i rekomandon Qeverisë të paguajë penalltinë dhe të tërhiqet nga “Kosova e Re”

E publikuar: 11/10/2018 19:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Zhvillimit Ekonomik është e bindur në jetësimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Këtë do ta realizojë edhe në mungesë të përkrahjes së Bankës Botërore, raporton KTV.

Në MZHE thonë se gjatë kësaj periudhe kanë biseduar me disa banka nga Japonia, Amerika e Kina për të garantuar investimin e njërës nga katër kompanitë që janë në garë për ndërtimin e “Kosovës së Re”.

Valdrin Lluka, ministër në MZHE, shton se e kanë bërë nënshkrimin e kontratës pa përgjigje të Bankës Botërore sepse ata i kanë pritur tash e dhjetë vjet.

KOSID-i, organizatë e shoqërisë civile, e cila mori përgjigjen e Bankës Botërore në Bali të Indonezisë se nuk e përkrahë Termocentralin “Kosova e Re”, thotë se qeveria e ka pasur këtë përgjigje prej vitesh.

Qeveria kishte parë edhe mundësinë e garantimit të kredisë nga Banka Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim.

Por, në një përgjigje të shkurtë për KTV-në, BERZH-i e ka hedhur poshtë këtë mundësi.

Megjithëkëtë, sipas Rinora Gojanit nga KOSID, qeverisë më lirë i bie të paguajë penalltinë dhe të tërhiqet.

Termocentrali i ri do të prodhojë 450 MGW energji në orë, të cilën Qeverisë së Kosovës mund t’ia shesë deri në 80 euro për 20 vjetët e parë të punës.