Sëmundja e Alzheimerit mund të zbulohet përmes analizave të gjakut 10 vjet para shfaqjes

E publikuar: 21/01/2019 21:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse ende nuk ekziston ndonjë ilaç që e ndalon zhvillimin e sëmundjes ose shërimin e saj, ekipi i hulumtuesve thotë se rezultatet e studimit mund të përdoren nga mjekët që ta vlerësojnë rrezikun te pacientët e caktuar, tek të cilët më vonë mund të shfaqen simptomat e sëmundjes.

Shkencëtarët thonë se e kanë dëshmuar që matja e ndryshimeve të nivelit të proteinës në gjak është një mënyrë e dobishme për t’i testuar ilaçet e reja që do të përdoren kundër kësaj sëmundjeje. “E dimë se sëmundja e Alzheimerit fillon në tru një apo dy dekada para shfaqjes së simptomave. Terapia duhet të fillojë të paktën dhjetë vjet ose më herët në mënyrë që të goditet shkaktari i sëmundjes”, tha prof.Mathias Jucker, i cili është njëri nga autorët e këtij hulumtimi.

Punimi i tij është publikuar në revistën “Nature Medicine”, ku autorët e kanë përshkruar metodologjinë e punës gjatë hulumtimit. Ata i kanë matur nivelet e proteinës së quajtur neurofilament në gjak dhe në lëngun shpinor. Kërkimet e mëparshme kanë dëshmuar se niveli i lartë i kësaj proteine në minj ka qenë i lidhur me nivel më të lartë të dëmtimeve në tru, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.