Sekuestrohet pasuria e patundshme e Astrit Nimanit

E publikuar: 17/06/2015 12:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pasditen e së martës, Policia e Shtetit ka bërë të ditur përmes një komunikate për mediat se, është realizuar ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të shtetasit Astrit Nimani, banues në Lezhë, të cilat kapin një vlerë tregu rreth 10 milionë euro.

Policia shton se veprimet e fundit vijnë në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2013, të regjistruar për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, e të ndjekur me metoda proaktive për një periudhë njëmujore nga Sektori për Krimin Ekonomik-Financiar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Siç njofton policia, këto pasuri dyshohen se janë produkte të veprimtarisë kriminale, të kryera nga shtetasi Astrit Nimani, i cili është arrestuar më 15 nëntor 2013 në Serbi, ndërsa më 20 dhjetor të po atij viti është ekstraduar drejt Italisë, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Roma, shkruan Lapsi.al

Kjo pasi, Gjykata e Apelit e Milanos në Itali, e ka dënuar më 26 nëntor të vitit 2009 shtetasin Nimani me 7 vite heqje lirie, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.