Rreth 45 mijë kërkesa për shtyrje të kredive nga kosovarët – vlera 1.3 miliardë euro

E publikuar: 09/05/2020 21:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 45 mijë kërkesa për shtyrje të pagesave të kësteve të kredive janë pranuar nga bankat komerciale në Kosovë, pas situatës së krijuar nga pandemia me koronavirusin.

Banka Qendrore e Kosovës, bashkë me Shoqatën e Bankave, ishin pajtuar që bizneset dhe individët që kanë pasur rënie të të hyrave për shkak të kësaj pandemie, të mundësojnë pezullimin e pagesave të kësteve të kredive, nga data 16 mars për tre muaj.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, ka bërë të ditur se vlera e tërësishme e 44,670 kërkesave për shtyrje të pagesës së kësteve deri më 31 mars 2020 është 1.3 miliardë euro.

“Sa i përket aspektit në kontekst sektorial, bizneset përbëjnë shumicën e vlerës së kërkesave për shtyrje prej 30,3 për qind e portofolit kreditor apo 71,5 për qind e gjithsej vlerës së kërkesave. Sa u përket personave fizikë, gjithsej kërkesat ishin 12,1 për qind e portofolit kreditor, ku 39,5 për qind e tyre janë kërkesa të personave fizikë që janë punonjës në sektorin privat”, ka thënë Ahmeti në një përgjigje për REL.

Të punësuarit në sektorin privat në Kosovë janë ata të cilët janë prekur më së shumti nga masat që Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë për parandalimin e përhapjes së virusit.

Gjatë muajit prill, ndërkaq, bazuar në të dhënat preliminare të BQK-së, thuhet se nuk ka rritje të numrit të kërkesave për shtyrje të kredive.

Vlera totale e kredive në bankat komerciale sipas të dhënave të BQK-së, deri në fund të muajit shkurt 2020, ishte mbi 3 miliardë euro.

Lajmin e plotë lexojeni në REL