Ratko Mladiç, përbindëshi para drejtësisë

E publikuar: 23/11/2017 11:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shumë të thella dhe të gjata janë gjurmët e gjakut që kanë mbetur pas këtij plaku në Bosnjë-Hercegovinë. Zotëruesi absolut i luftës së serbëve të Bosnjë-Hercegovinës ka qenë në zenitin e fuqisë para 25 vitesh. Së shpejti ai mbase do të vdesë. Ndaj duket indiferent gjatë shqiptimit të dënimit, ndonëse thotë se nuk pendohet fare – për asgjë. Incidentet e tij në Gjykatën e Hagës janë në përputhje totale me pohimet e tij të mëparshme, se kjo është “gjykata e djallit”.

Ratko Mladiç mohon të pranojë realitetin, sikur edhe të gjitha qarqet shoviniste serbe në B-H dhe Serbi. Ato thonë se Tribunali i  Hagës është një instrument politik kundër të gjithë serbëve. Në këtë mënyrë ata mohojnë edhe përgjegjësinë individuale të “heroit” të tyre dhe miqve të tij. Në këtë mënyrë marrin peng shumicën e qytetarëve normalë serbë.

Madje edhe atëherë kur me të drejtë kritikojnë Tribunalin e Hagës, nuk ka pikë dyshimi që ish-gjenerali meriton procesin dhe dënimin për të gjitha që ka bërë në periudhën 1992-1995 dhe për të gjitha që kanë ndodhur në B-H. Për keqardhje është vetëm fakti që godina e Tribunalit të Hagës nuk është në Sarajevë, Beograd apo Banjalukë. Nga afërsia do të ishte më e qartë se si “heroi” shndërrohet në një përbindësh të tmerrshëm. Ai nuk është në gjendje të shprehë madje asnjë fjalë pendimi apo keqardhje. Ai nuk ka asgjë për t’u thënë familjeve të viktimave, madje as familjeve të ushtarëve të tij të vrarë. Sikur Rako Mladiç të kishte mundësinë që përsëri të zgjedhë, ai do të zgjidhte që sërish të jetë – Ratko Mladiç.

Do të zgjidhte anën kundërshtare të botës së civilizuar, atë që vret njerëz të paarmatosur, të rinj dhe pleq. Barbarizëm është kur me vite të tëra bombardon lagje të tëra të qytetit dhe kur civilët i trajton si një objekt për argëtim sadist. E tmerrshme është sasia e urrejtjes që ai ka shprehur pas “çlirimit” të Srebrenicës dhe “hakmarrjes ndaj turqve”. E pakuptimtë dhe totalisht e rrezikshme është të mendosh se humbjen e vitit 1389 (në betejën e Fushë-Kosovës) mund ta kompensosh me realitetin e vitit 1995 (në Srebrenicë).

Ratko Mladiç për mua ka qenë prej fillimit grushti i verbër ideologjik dhe ushtarak i shovinizmit ekstrem serb, i cili kupton vetëm mbjelljen e vdekjes. Propaganduesit e shovinizmit të atëhershëm –  sikur presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiç – sot janë burrështetas të respektuar.

Për viktimat nuk do të ketë shumë ndryshime. Mladiçi për ta mbetet gjithmonë një kriminel cinik. Prehja e vetme për ta është që tani edhe gjykata konfirmoi atë që ata kanë menduar gjithmonë.

Për shumë ish-ushtarë të tij, dhe shumë serbë nga Bosnja, Mladiçi mbetet hero dhe viktimë e “komplotit antiserb”. Pohimet e këtilla u shkojnë për dore edhe nacionalistëve boshnjakë, të cilët flasin “për serbët gjenocidialë”. Politikanët populistë do ta shfrytëzojnë këtë për qëllimet e veta dhe shpresojnë lulëzimin e ri të tyre në Ballkan. Kjo është e kuptueshme, sepse pa një marrëveshje dhe mirëkuptim të përgjithshëm mes elitave politike boshnjake dhe serbe, nuk do të ketë as ndonjë koncept të qëndrueshëm për të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës.

Kam frikë se dënimi i përbindëshit të vënë në dritaren ekspozuese të Tribunalit të Hagës, nuk do ta shuajë etjen për drejtësi në një vend, i cili edhe më tej është rob i mentalitetit të luftërave të viteve ‘90. Mladiçin e ka arritur drejtësia, por a jep shpresë ky vendim edhe për B-H? Kam frikë se për këtë është bërë tepër vonë.