Qeveria pranon dështimin, ulen pensionet e fshatit

E publikuar: 09/11/2017 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria u detyrua të pranojë për herë të parë publikisht se reforma e pensioneve në fshat ka dështuar. Rritja me disa herë e masë së kontributeve që solli reforma e vitit 2014-të ka bërë që shumë fermerë të mos paguajnë sigurimet dhe të dalin jashtë skemës së pensioneve.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se brenda dy muajsh qeveria do të sjellë amendimet ligjore për të ndryshuar skemën.

“Njëri nga variantet që po diskutohet është të përgjysmojmë pagën minimale mbi të cilën llogariten kontributet në fshat” tha Ahmetaj.

Paga mininimale është baza për llogaritjen e kontributeve. Aktualisht fermerët e zonave malore paguajnë 30 mijë lekë në vit kontribute që të pëfitojnë pension, ndërsa ata në fshatrat fushore paguajnë 38 mijë lekë në vit.

Ulja e pagës minimale do të përgjysmonte kontributin që duhet të paguajnë fermerët, por në të njëjtën kohë ajo do të ul po kaq edhe pensionet që marrin ata.

Sipas reformës aktuale një pensionist në fshat duhet të përfitojë pension 24 mijë lekë në muaj pension, por me ndryshimet e reja që paralajmëron ministri i financave ky pension gati do të përgjysmohet. Rrjedhimisht femerët do të marrin pension thuajse minimal pag më shumë se 12 mijë lekë në muaj.

Dështimi i reformës së pensioneve, të cilën qeveria e miratoi në vitin 2014 u paralajmërua nga opozita. Në atë kohë ekspertët e Partisë Demokratike paralajmëruan se se rritja e kontributeve në fshat do të nxirrte femerët nga skema duke rritur defiçitin.