Pushtet apo politikë

E publikuar: 26/10/2015 16:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Elvis Hoxha

Një përgjigje për Mero Bazen

Në mediat tona nuk ka gazetar politik, por gazetar të pushtetit. Oh sa na ka ngatërruar njësimi i dy termave, politikë dhe pushtet. Kemi thënë se politika është e ndyrë, por në fakt kemi shprehur mllefin ndaj pushtetit. Sepse ka pushtet politik, ka jetë politike, ka art politik, ka intelektual politik, ka qytetar politik, ka shumë gjëra të cilat shfaqen nën problemin e të jetuarit dinjitetshëm, pra të jetuarit politik. Por në vend që ta shohim shëmtinë te një nga bartësit e politikës, pra te pushteti, ne e kemi vendosur mbi politikën. Një gabim i vogël, tepër i vogël që po na pushton mendjen dhe kushton jetën. Meqënëse mbetemi jo popull i vogël, por shoqëri e vogël, e kemi më të lehtë të rrënojmë politikën sesa pushtetin. Sepse pushteti janë njerëzit e sojit dhe sorollopit tonë, ndërsa politika është larg. Është si puna e largësisë mes dukjes dhe dinjitetit. Ne duam dukjen, se sa për dinjitetin duhet shumë punë.

E kësisoj fabrikojmë këto lloj mediash e këta lloj gazetarësh që para se të mësojnë politikën, kanë “përthithur” Makiavelin. U duket se shohin shumë larg, shumë shumë larg, por në fakt shohin atë që prodhojnë çdo ditë me mendësinë e tyre. Pra, kur kujtojnë se shohin politikën, në fakt shohin pushtetin. Dhe në këtë rast dihet ç’sheh, pushtetin që është dhe jo çka synohet politikisht. Është një gjë të synosh poltikisht, është tjetër gjë të synosh me pushtet. Le të marrim një shembull. Në një artikull të tij Mero Baze na flet për luftë mes komandatësh, pra luftë mes bartësish pushteti. Dy i tremben gjykatës, njëri ka tetë vjet në karrigen e pushtetit, njëri është i pakënaqur nga natyra. E tërë Kosova, po të besojmë Bazen, është duke ndjekur betejën e komandantëve mes burgut dhe pushtetit. Nga ana vetë “njerëzit janë të qetë pasi nuk e shikojnë në shumicë atë që ndodh aty si problem të tyre, por si problem të komandantëve me njëri-tjetrin”. Mero Baze, shpërndan gurët e shahut, sepse nuk e ndjen veten aktor politik, por veç një zot semantike. Dhe ai cakton fatet. Vetëvendosjen e autorizon të vazhdojë të zbatojë mënyrën e saj revolucionare, ndërsa komandantët t’i zgjidhin problemet e tyre duke rritur numrin e posteve në pushtet. Problemi u zgjidh. Thjesht fare: mjaft të përfytyroni një pushtet ku ka vend për të gjithë komandantët, për shembull një qeveri me tre kryeministra, dhe nuk do të ketë më komandantë pa pushtet.

Shumë mirë: komandantë të qetë do të thotë pushtet i qetë, njerëz të qetë. Vetëm VETËVENDOSJE! prish punë sepse nuk paska ndonjë komandant për pushtet. Problemin e pakicës serbe Mero Baze e zgjidhi në një frazë po ashtu të qetë, që në fillim të reflektimit të tij, aty ku thotë se VETËVENDOSJE! ka për problem të vetëm të mos shohë të drejtat e serbëve. A mund ta quajmë një gazetar kaq konçiz e të kthjellët gazetar politik? Ai na jep një zgjidhje, por aspak politike. Ai na thotë natyrshëm atë që gjithë përtacët e mendimit e quajnë luftë për pushtet. Mjaft të lëmë revolucionarët të bëjnë punën e tyre dhe pjesa tjetër do të jetë në paqe, pra në jopolitikë. Zgjidhja e jashtëzakonshme që na propozohet është ta zgjerojmë pushtetin aq shumë sa mos të ketë më ide politike, dhe as politikë. Pra, nëse LDK iu bashkua PDK-së, mjaft t’i bashkohet në vazhdim AAK dhe Nisma. Të gjithë do të jenë të kënaqur. Serbëve t’u jepet territori dhe pasuritë që duan, pra të drejtat që VETËVENDOSJE! ia u mohon. U qetuan dhe serbët. Ndërkombëtarët e heqin qafe problemin e Kosovës. U rehatua dhe Evropa.

Natyrisht Mero Baze është mësuar në Shqipërinë e Tiranës, ku betejat politike janë kryesisht ato të pushtetit financiar, ndaj nuk i shkon mendja që njerëzit e thjeshtë mund të jenë të shqetësuar rreth ndonjë çështjeje sovraniteti, shtetndërtimi, kolektiviteti. Politika e tij është pushtetifikimi i komandëntëve. “Për këtë shkak është mirë që beteja të diferencohet dhe të kthehet në shtratin e vet. Ata që e kanë për politikë si lëvizje revolucionare, pra Vetëvendosja, le të vazhdojnë betejën. Të tjerët të negociojnë shqetësimet e tyre, përfshi dhe mundësinë për të hyrë në qeveri, nëse mendojnë se kështu janë më të qetë”. Beteja të kthehet në shtratin e vet. Mero Baze e di se komandantët janë domosdoshmërisht njerëz të përlyer, kriminelë, madje dëshiron që gjërat të shkojnë kështu, që pushteti të jetë sa më i përlyer. Veç atëherë njerëzit do të jenë të qetë. Makiaveli do ta kishte zili një shtet të tillë ku nuk ka më politikë, por vetëm pushtet. Ata revolucionarë të paktë do të gjejmë mundësinë t’i mbyllim nëpër azile, ndërsa egot e komandantëve i kemi mbyllur nëpër burgje ose pushtete kryeministrore. Azil, Burg dhe Pushtet. Ja një shoqëri që lulëzon për Meron. Mirë është mos ta lexojë kurrë filozofin Foucault.

Pozitat nga flet Mero Baze janë të një trualli që nuk njeh politikë por vetëm pushtet, ku nuk ka lëvizje revolucionare, por vetëm pazare pushteti, ku komandantët duan vetëm poste, ku njerëzit janë të shqetësuar vetëm për komandantët e tyre, ku serbët me doemos duhet të gëzojnë të drejta pavarësisht ekzistencës së shqiptarëve. Pra gabimi është shumë i vogël. Por për nga jetëgjatësia është problem i tmerrshëm. Ai nuk vdes kurrë: të zëvendësojmë politikën me pushtetin, si të thuash të zëvendësojmë mbiemrin me emrin dhe të themi për shembull se gjithë Bazet që kanë lindur dhe që do të lindin janë po aq cinikë sa ç’është Mero. Pra nuk duhet të kemi më shpresë te fisi i tyre.

Nëse pushteti që ngjizin shqiptarët ka qenë dhe është kaq për dreq, kjo ndodh pikërisht sespe sipas dreqit të mediave komandantët mendojnë pushtetin dhe jo politikën. Por ama ja që ka të tjerë njerëz që mendojnë se disa komandantë nuk kanë shkuar në luftë për pushtet, por për të vdekur. Ndoshta e mësuan këtë dreq pushteti kur ca njerëz të paqes, ca analistë e ca gazetarë, mjeshtra të mosbërjes së betejës, ia u çuan nëpër mend. Ekziston një tjetër tip njeriu që mendon politikën e jo pushtetin. Për pasojë, mund të çoroditet kur kupton si rastësisht se një deputet serb është i vlefshëm sa tre deputetë shqiptarë nisur nga ulëset e parlamentit, kur merr vesh se historia e 92% shqiptare nuk duhet deklaruar sepse ajo mund të fyejë 6% serb të Kosovës, se të zhdukurit e shqiptarëve nuk e meritojnë ndonjë përkujtim sepse mundet që të rrisin e shqetësojnë fajin kolektiv të popullit beogradas, se të spastruarit shqiptarë të Mitrovicës nuk duhet të përmenden, pasi në sajë të këtij spastrimi mund të zgjerohet Zajednica (shpikje serbe e Evropës që meriton ta mbajë emrin serb dhe jo shqip), etj.

Pra, Mero Baze e ka shumë të lehtë problemin e pushtetit, sepse për politikën nuk ia nin fort. Në fakt nuk ia nin as për shqiptarët e Kosovës. Atij ia nin veç për komandantët dhe serbët, ndaj dhe u këshillon pazaret e qetësisë. E kështu që, le t’i themi gërat siç janë. Për sa që në trojet tona do të kemi media që s’bëjnë politikë, por pushtet, natyrisht që do të kemi dhimbje dhe jo drejtësi, turp dhe jo dinjitet.

Autori është profesor i filozofisë