Pronari shqiptar i një restoranti vizitohet befasisht nga ish-presidenti Bush

E publikuar: 03/12/2017 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jeton Haxhijaj është nga Kosova.

Ai para 18 vjetësh migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur në Kosovë shpërtheu lufta në vitin 1999.

Më vonë hapi lokalin “Luigi’s” në Main, McGregor, vend që shumë shpejt u bë pikëndalim i atyre që u pëlqejnë picat e pastat.

Me 19 nëntor të këtij viti, Jetoni ishte duke punuar në një të diele të qetë, kur në derë të lokalit ia bëhu Shërbimi Sekret Amerikan.

Ata kishin një lajm për të.

“Më thanë se presidenti George W. Bush po vjen në restorantin tënd”, tregon Haxhijaj për TV KWTX, degë e televizionit nacional CBS, njofton Klan Kosova.

Ai me të dëgjuar lajmin u ngut të pastronte një pjesë të vendit që kishte mbetur pak e rrëmujshme nga një ndejë që pritej të mbaronte dhe të ndreqte në perfeksion vendin e ngrënjës për presidentin.

Thirri shpejt edhe gruan në telefon.

I tha të merrte kamerën dhe fëmijët e të vinte me nxitim në restorant.

“Një herë në jetë të ndodhë diçka e tillë”, thotë ai.

Tridhjetë minuta më vonë, Bush-ët erdhën bashkë me disa shokë, ata porositën kallamari, kërpudha dhe pasta.

Jetoni thotë se ish-presidenti amerikan iu duk një njeri shumë i thjeshtë e i kollajshëm për t’iu qasur.

“Ai ma lëvdoi ushqimin, tha se i pëlqeu shumë”.

Ish-presidenti amerikan gëzon admirim të veçantë tek shqiptarët pasi ai është presidenti që e pranoi zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Bush ka shumë merita edhe për lobimin amerikan tek shtetet tjera për njohjen e Kosovës.

Jetoni s’e di se çfarë po bënte ish-presidenti në atë pjesë të vendit, por e tija ishte t’i tregonte se iu bë qejfi fort që ia vizitojë restorantin.

“Unë dhe familja ime jemi shumë krenarë që e patëm atë në restorantin tonë”.

Madje Jetoni edhe gjatë kësaj interviste për televizionin s’e lëshoi rastin ta falënderonte presidentin, tash jo për vizitën, por për ndihmën e madhe që Bush i dha Kosovës e shqiptarëve.

“Shpresoj se do të na vizitojë përsëri, e nëse e bën këtë, atëherë do të kem më shumë kohë që të bisedojmë – madje do ulem edhe do të ha bashkë me të”, tha në fund, duke qeshur, Haxhijaj.