Politikat joevropiane

E publikuar: 21/07/2019 09:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Foto BBC

Ora evropiane po i ecën mbrapsht Kosovës. Përpos mungesës së perspektivës në procesin e anëtarësimit, krimi e korrupsioni janë bërë sebep që qytetarët të mbërthehen në geto, ndërsa keqmenaxhimi vazhdon t’ia reduktojë asistencën financiare, të cilën Bashkimi Evropian (BE) e dedikon si ndihmë para anëtarësimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që formalisht nuk e ka nisur rrugën e anëtarësimit në BE, meqë akoma nuk ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat. E, perspektiva integruese nuk është parë as në strategjinë për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, e cila vitin e shkuar është lansuar nga BE-ja, pesë vende anëtare të së cilës nuk ia njohin pavarësinë Kosovës.

Në masë të madhe, kjo situatë është pasojë e politikave joevropiane që aplikohen në Prishtinë.

Vetëm një vit më parë, autoritetet vendore mundën t’i përmbushin kriteret e fundit që lidhen me liberalizimin e vizave. Por Parlamenti Evropian dhe Këshilli hezitojnë ta aprovojnë propozimin e Komisionit që t’u mundësohet kosovarëve udhëtimi pa viza, kryesisht nga droja për një eksod të ri dhe nga mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit tek rastet e profilit të lartë.

Edhe në përpjekjet për të ringjallur procesin e zgjerimit, BE-ja ka rritur presionin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Janë dy kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit që konsiderohen si më të ndërlikuarit, e që përfshijnë sundimin e ligjit: kapitulli 23 që i referohet gjyqësorit dhe të drejtave themelore dhe kapitulli 24, i cili ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Ata kanë fituar peshë viteve të fundit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)