Paraja mund të blejë lumturinë – por duhet të keni një pagë prej 75 mijë eurosh!

E publikuar: 16/02/2018 18:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një pagë vjetore prej gati 50,000 eurosh do t’ju sjellë “mirëqenie emocionale”, sipas një studimi të ri. Por për të arritur “kënaqësinë e jetës” ju duhet të fitoni më shumë se 75000 euro.

Dhe kur ky lajm vlerësohet si i keq për britanikët, përcjell Telegrafi, që mesatarisht kanë një pagë prej 30 mijë eurosh, paramendojeni çfarë do të thotë për shumicën e kosovarëve, dhe jo vetëm.

Autori i studimit Andrew Jebb ka thënë: “Është debatuar se në çfarë pike paratë nuk e ndryshojnë nivelin tuaj të mirëqenies. Ne kemi gjetur se të ardhurat ideale janë rreth 75 mijë euro për kënaqësinë e jetës dhe rreth 50 mijë euro për mirëqenien emocionale”.

Por studimi amerikan gjithashtu gjeti një dobësi të të fituarit aq shumë, sepse siç thuhet i bën njerëzit të shqetësoheshin më shumë për mënyrën se si krahasoheshin me njerëzit e tjerë dhe për vlerën e tyre.

Jebb, nga Universiteti Purdue në Indiana, tha: “Paraja është vetëm një pjesë e asaj që me të vërtetë na bën të lumtur dhe ne po mësojmë më shumë për kufijtë e parave”.

Statistikat janë të bazuara në shifrat nga sondazhi i Gallup World, i cili vëzhgoi më shumë se 1.7 milion njerëz në 164 vende.

Por jo të gjithë pajtohen me gjetjet. Shkencëtarët gjermanë pohuan vitin e kaluar se bujaria ishte rruga më e mirë për lumturinë.

Ata thanë se dhurimi i dhuratave do të krijonte një emocion pozitiv, i cili u shfaq në skanimet e trurit.

Çuditërisht, reagimi ndaj dhënies së një dhuratë ishte më mirë se sa marrja e një të tillë. /Telegrafi/