Prova të paqëndrueshme dhe të zbehta janë rreshtuar në aktakuzën e aferës “Pronto”, sipas avokatëve mbrojtës të të akuzuarve.
Analizën ia kanë bërë pak para se të fillojë procesi gjyqësor, pasi pesë muaj i janë dashur gjykatës që t`ua dorëzojë atë, edhe pse është ngritur që në muajin prill, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo aktakuzë, sipas mbrojtjes, do të rrëzohet në gjykatë që në seancën e dytë gjyqësore. Megjithatë, me këtë nuk është pajtuar Prokuroria. Ajo konsideron se provat janë siguruar në harmoni me Kodin e Procedurës Penale dhe janë legjitime.
Ditë më parë, “Koha Ditore” ka raportuar për detajet e aktakuzës. Bazuar në të, gjykimi rreth këtij rasti ka gjasa të zhvillohet pa dëshmitarë, pasi Prokuroria nuk ka propozuar dëgjimin e asnjë dëshmitari.
Aktakuza prej 85 faqesh është mbështetur në prova të tjera, siç janë përgjimet telefonike, urdhrat e gjykatave, raportet policore, shkresat dhe vendimet e ndryshme institucionale.