Kur do të merret vendimi për kompensimin e 41 milionëve që qytetarët paguan për Veriun?

E publikuar: 17/01/2018 18:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Protestat e organizuara, ankesat dhe mospajtimet me korporatën energjetike i kanë ndjekë qytetarët ndër vite. Edhe pse ata ishin të bindur që çmimi nuk përshtatej me rrymën që e kishin shfrytëzuar, prapë zyrtarët e KEDS nuk tregonin se ku ishte problemi. Por, deklarata e Avokatit të Popullit ua hapi sytë të gjithëve, duke nxjerrë në pah shkeljet e të drejtave të njeriut që ZRRE dhe KEDS ishin duke i bërë karshi qytetarëve. U zbulua, se 41 milionë euro për 5 vjet ishin paguar nga jugorët për Veriun.
Pasi që kjo temë u bë e madhe dhe u nxitën reagimet nga organizata për të drejtat e njeriut, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, kishte kërkuar që shuma prej 41 milionë euro të kompensohej te qytetarët.

Me këtë rast, Avokati i Popullit ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative me ç’ rast ka kërkuar nga gjykata: Anulimin e Vendimit të ZRRE-së të datës 6 shkurt 2012 dhe që gjykata të obligojë ZRRE-në për kompensimin e konsumatorëve të cilët faturohen për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.

“Çështja e kompensimit për rrymën e faturuar kundërligjshëm është çështje e cila aktualisht është duke u trajtuar nga gjykata. Së këndejmi, në rast se Gjykata aprovon padinë e Avokatit të Popullit kundër ZRRE-së, i mbetet Gjykatës të vlerësojë se cila do të duhej të jetë mënyra e kompensimit”, ka thënë për Express, zëdhënësja Majlindë Sinani Lulaj.

Por, Gazeta Express ka kontaktuar edhe me përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji – ZRRE, dhe këta të fundit kanë thënë se ende nuk është formuar bordi ekzekutiv dhe lidhur me këtë temë nuk ka asnjë vendim të ri.

“Bordi i ZRRE është jo funksional dhe deri sa të kompletohet Bordi ne nuk jemi në gjendje të marrim vendime të reja lidhur me këtë çështje. Aktualisht bordi ka vetëm 2 persona dhe kështu nuk mund të funksionoj. Qeveria i ka propozuar emrat e anëtarëve tjerë, mirëpo Kuvendi deri tash nuk i ka miratuar ata”, kanë thënë për Express, nga ZRRE.

Ndërsa në një përgjigje për Gazetën Express, kryetarja e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha – Shala thotë se propozimi i emrave të bordit të ZRRE-së do të shqyrtohen të martën.

“Për shkak të një gabimi teknik nuk kemi pasur mundësi që më herët t’i shqyrtojmë emrat e propozuar nga Qeveria. Të martën e kemi mbledhjen e radhës dhe në këtë ditë, pikë të rendit të ditës e kemi, shqyrtimin e emrave të anëtarëve për bordin e ZRRE-së. Pasi që ne të marrim vendim atëherë propozimin e dërgojmë në Kuvend.”, ka thënë për Gazetën Express, kryetarja Berisha-Shala.

Prej kur është ngritur problemi i pagesës së faturave të energjisë elektrike, e vetmja gjë që është ndërmarrë me udhëzim nga ZRRE-ja, ishte largimi i pjesës prej 3.5 përqind nga faturat e qytetarit nga 1 dhjetori i vitit 2017.

Edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë për Express, se deri tash kanë larguar vetëm 3.5 përqindëshin nga faturat e energjisë elektrike.

“E vetmja kërkesë që është drejtuar tek ne ka qenë të largohet 3.5 përqindëshi, dhe këtë gjë e kemi bërë. Ne jemi subjekt që zbatojmë vendimeve. ZRRE nuk ka dorëzuar ndonjë vendim tjetër tek ne”, ka thënë Buzhala për Express.

Edhe pse, Bordi i ZRRE-së është jo funksional që prej muajit maj të 2017, në dhjetor Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kishte thënë se në fund të vitit do të bëhet kuorumi dhe bordi do të funksionalizohet.