Kontrolli Ajror shpenzoi mbi 16 milionë euro, tashti nuk ka para as për paga

E publikuar: 14/04/2015 10:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me mbi 16 milionë euro në dispozicion, menaxhmenti i Kontrollit të Trafikut Ajror të Aeroportit të Prishtinës e ka sjellë ndërmarrjen në pozitë, në të cilën nuk ka mjete financiare në dispozicion as për pagat e stafit.

Mungesën e pagave për muajin mars për stafin, menaxhmenti e ka arsyetuar me pagesat që kanë bërë për shpronësimet e tokave të Aeroportit dhe disa projekte tjera kapitale, shkruan Zëri.

Megjithatë, kjo është vetëm “njëra anë e medaljes”, pasi që me rastin e koncesionimit të terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës nga kompania turke “Limak”, Kontrollit të Trafikut Ajror, e cila udhëhiqet nga Bahri Nuredini, i ishin transferuar më shumë se 8 milionë euro, nga të cilat mjete do të duhej të bëheshin edhe pagesat për shpronësim.

Po ashtu gjatë periudhës pas koncesionimit të terminalit e deri në fund të vitit që lamë pas, Trafiku Ajror ka grumbulluar edhe rreth 8 milionë euro nga shërbimet e navigacionit.

E të gjtiha këto mjete drejtuesit e kompanisë publike i kanë shpenzuar për projekte kapitale të panevojshme, siç është rasti me blerjen e pajisjeve të navigimit dhe rilokimin e pajisjeve ekzistuese, si dhe duke punësuar numër të madh të punëtorëve.