Komuna e Prizrenit e orienton procesin e planifikimit buxhetor në kërkesa minimaliste

E publikuar: 12/09/2017 11:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prizrenit në kuadër të procesit për planifikimin e buxhetit për vitin 2018 përkatësisht të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2018-2010, nga data 9 gusht deri me 23 gusht 2017 ka mbajtur gjithsej 17 dëgjime publike me qytetarët në lokalitete të ndryshme në qytet dhe fshatra.

EC Ma Ndryshe i ka monitoruar të gjitha këto takime si dhe debatin në Kuvendin e Komunës lidhur me propozim buxhetin për vitin e ardhshëm dhe bazuar në këto vrojtime paraqet disa vërejtje lidhur me procesin në fjalë, shkruan infosot.

Në 17 dëgjimet publike të Komunës së Prizrenit pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e ulët. Pjesëmarrja e komunitetit të grave, të rinjve dhe të moshuarve ka qenë edhe më e ulët, derisa Personat me Aftësi të Kufizuara pothuajse në asnjë takim nuk kanë qenë prezent. Ndërsa fakti që në takimin në shkollën “Motrat Qiriazi” (i cili është organizuar për lagjet “Kurillë”, “Ralin” dhe “Bazhdarhane”, që bashkë kanë dhjetëra mijëra banorë) kanë qenë prezentë më pak se dhjetë qytetarë tregon më së miri për nivelin e seriozitetit të komunës kur bëhet fjalë për përfshirjen e qytetarëve në planifikimin buxhetor dhe vendimmarrje.

Njoftimi për takimet me qytetarë dhe grupe të interesit në formë tabelare është publikuar në ueb faqen e Komunës, por ka munguar shpërndarja edhe nëpërmjet kanaleve tjera të komunikimit.

Ndërsa gjuha e buxhetimit nuk është përkthyer në terma të kuptueshëm për qytetarët e as nuk është shpërndarë ndonjë udhëzues se si ata mund të ndikojnë më efektivisht në këtë proces. Propozimbuxheti është shpërndarë vetëm gjatë takimeve dhe atë në formë tabelare.

Vonesat në fillimin e dëgjimeve publike kanë ndodhur në të gjitha takimet, ndërkohë që në raste të caktuara ka ndodhur që të kufizohet edhe liria e shprehjes së pjesëmarrësve, të cilët kanë dashur që ti adresojnë shqetësimet e tyre në raport me pushtetin lokal respektivisht projektet e realizuara apo të parealizuara. Ka munguar edhe llogaridhënia e zyrtarëve komunalë para qytetarëve në raport me projektet e pakryera apo të mbetura në gjysmë nga vitet e kaluara.

Në bazë të monitorimit të këtyre dëgjimeve publike del se kërkesat kryesore të qytetarëve kanë qenë zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë të pijes, intervenimet në rregullimin e infrastrukturës, riparimi i objekteve të caktuara shkollore, ndriçimi publik, pastrimi i mjedisit dhe rregullimi i hapësirave publike, ndërtimi i fushave sportive, sinjalizimi horizontal dhe vertikal, etj. Përmbledhja e këtyre kërkesave është se ato janë nevoja elementare, që kërkojnë zgjidhje imediate.

Në dëgjimet publike të Komunës së Prizrenit, zyrtarët e pranishëm asnjëherë nuk kanë prezantuar orientimet zhvillimore të kësaj komune, ndërkohë që asnjëherë nuk janë përmendur as objektivat e Planit Zhvillimor Komunal dhe si synohen të arrihen ato përmes buxhetit të vitit 2018 dhe KAB 2018-2020.

Pas takimeve të zhvilluara, Komuna e Prizrenit në ueb faqen zyrtare ka publikuar një dokument të quajtur procesverbali i dëgjimeve publike, në të cilin vetëm janë listuar kërkesat e shprehura nga qytetarët gjatë takimeve. Mirëpo Komuna nuk ka dhënë sqarime se cilat prej këtyre kërkesave janë përfshirë në propozimbuxhet dhe cilat nuk janë përfshirë, bashkë me arsyetimet përkatëse.

As në diskutimin e zhvilluar në Kuvendin e Komunës për propozimbuxhetin 2018 nuk janë dhënë sqarime se cilat kërkesa konkrete të qytetarëve janë përfshirë në buxhet dhe cilat janë refuzuar. Ndërsa këshilltarët e KK-së nga subjektet e koalicionit qeverisës dhe nga opozita kanë adresuar vërejtje për kodet buxhetore, të cilat nuk janë të qartësuara si duhet e që sipas tyre janë të dyshimta ngase krijojnë hapësirë për keqpërdorime të mundshme.

EC konsideron se Komuna e Prizrenit si njësi themelore e vetëqeverisjes lokale ku qytetarët kanë shumë nevoja në fund të procesit nuk po arrin që t’i nxjerrë këto kërkesa dhe shqetësime në mënyrën e duhur, pasi që dëgjimet publike po i organizon vetëm sa për të përmbushur një kriter ligjor dhe jo për hir të përfshirjes së mirëfilltë të qytetarëve në planifikimin buxhetor dhe vendimmarrje.

EC gjithashtu vlerëson se kërkesat bazike që janë adresuar nga qytetarët e Komunës së Prizrenit janë kërkesa që moti është dashur të zgjidheshin nga administrata komunale, po të kishte krijuar Komuna mekanizma të duhur që do të vepronin bazuar në propozimet dhe shqetësimet e qytetarëve.

Procesi i planifikimit buxhetor të Komunës së Prizrenit nuk do të duhej të orientohej vetëm në kërkesa minimaliste, prandaj EC rekomandon se duhet të ketë një qasje më strategjike në këtë proces për përfshirjen e duhur të nevojave të komunitetit, përfshirjen e grupeve të grave, të rinjve, të moshuarve dhe PAK-ve, informimin më të mirë të qytetarëve, zbatimin e parimeve të buxhetimit gjinor si dhe orientimin e qartë zhvillimor bazuar mbi planet dhe programet e miratuara nga Kuvendi i Komunës.

Në të njëjtën kohë, EC rekomandon nivelin qendror që të monitorojë procesin e dëgjimeve publike në komuna dhe të ndërmerr masa që këto takime mos të organizohen më vetëm sa për të përmbushur një kriter ligjor, por për të siguruar përfshirje të duhur të qytetarëve në vendimmarrje.

Projekti “Transparenca e Planifikimit Hapësinor në Prizren” synon hapjen e dokumenteve të planifikimit hapësinor në komunën e Prizrenit, për të përmbushur obligimet e Kartës për Hapjen e të Dhënave, dhe rritur nivelin e llogaridhënies publike në këtë sektor. Hapja e të dhënave dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor do të krijojë mundësi më të mëdha për mbikëqyrjen e punës së autoriteteve publike në raport me urbanizmin, lejet e ndërtimit, planifikimin zhvillimor dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore./infosot/