Kompanitë e arkave fiskale të pakënaqura me udhëzimin e ri

E publikuar: 12/04/2015 23:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompanitë që shesin arkat fiskale, kanë shprehur pakënaqësi pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri administrativ. Ata ankohen se nuk janë marrë parasysh sugjerimet e tyre.
Kompanitë që shesin arka fiskale e kanë pezulluar punën që 2 javë, pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri administrativ. Përfaqësuesi i tyre thotë se këtë veprim e kanë ndërmarrë për shkak se nuk janë marrë parasysh sugjerimet e tyre si palë në proces. Ata kërkojnë që të rinegociojnë kontratën me Administratën tatimore të Kosovës e cila do të jetë bazë për vazhdimin e punës.

“Njëra ndër pikat që duhet të rinegociohet është kontrolla periodike vjetore të cilën e kanë bërë çdo dy vjet ata, ne duhet ta negociojmë atë çështjen me ATK-në sepse kosto e shpenzimeve operacionale të cilën e kemi është shumë e lartë, ne nuk mund të punojmë falas sepse nuk jemi organizatë humanitare, jemi biznese të cilat i mbulojmë shpenzimet operative prej kontrolleve periodike vjetore, dhe pa e negociu këtë çështje me ATK ne nuk mund të vazhdojmë tutje”, theksoi Kestrin Kumnova – Zëdhënës i kompanive që shesin arka fiskale.

E nga kjo situatë, sipas Kumnovës, qindra biznese nuk mund të lëshojnë kupon fiskal.

“Ato arka që nuk ju ka kalu kontrolla peridoke ato vazhdojnë punën, atyre që ju ka kalu kontrolla periodike tash e 2 javë e kanë të pamundur të lëshojnë kupona fiskal por edhe tjerat që kanë probleme teknike e kanë të pamundur të funksionojnë”, tha ai.

Por, Sakip Imeri nga ATK, nëpërmjet telefonit tha se nuk qëndrojnë deklarimet se nuk janë marrë parasysh sugjerimet e kompanive, pasi nëse jo në tërësi, ato kryesisht janë marrë parasysh. Sipas tij, nuk do duhej që kompanitë të pezullonin punën pasi kështu po dëmtohet buxheti i shtetit.

E siç tha, pushimet e festave kanë ndikuar në vonesën e zgjidhjes së këtij problemi, por që ATK do të bashkëpunoj e negocioj me kompanitë për kontratën, pas ndryshimeve të bëra në udhëzimin e ri.