Kompania gjermane ka gati planin e “Kosovës A” – Qeveria hesht

E publikuar: 29/07/2015 21:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka disa muaj që Avni Kurshumliu bashkë me grupin gjerman të kompanisë gjermane Bilfinger po mbajnë takime me shumë drejtues institucionesh, por deri tash nuk ia kanë arritur qëllimit.

Ata kanë gati një plan se si do të dukej Kosova A, pasi të kryhet rindërtimi i saj.

Sipas planit, kjo kompani gjermane që merret me prodhimin e makinerive për prodhim të energjisë është e gatshme të rindërtojë këtë termocentral me teknologjinë e fundit dhe pa e ndotur ambientin, raporton KTV.

Avni Kurshumliu nga kjo kompani ka thënë se për realizimin e këtij projekti qeveria duhet t’i gjejë paratë, pasi që Kosova A do të mbetej pronë e shtetit dhe do të kushtonte shumë më lirë se ndërtimi i Kosovës së Re.

Kurshumliu thotë se me këtë investim, rivitalizim të Kosovës B dhe ndërtim të Kosovës së Re, Kosova do të kishte energji të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat që deri në vitin 2024 parashihet të arrijnë në 2000 megavat.

Ai thotë se për realizimin e këtij projekti ka përkrahjen e institucioneve gjermane, por edhe të Bankës Botërore, që janë kundër vazhdimit të punës së Kosovës A.

Mirëpo thotë se koha sa do të presë kjo kompani institucionet e vendit për këtë projekt nuk është edhe shumë e gjatë.

Sa i përket eliminimit të ndotjes, në planin e tyre figuron se Kosova A e rindërtuar do të emitonte sipas parametrave të paraparë me planet e Bashkimit Evropian.

Pavarësisht vjetërsisë që ka ky termocentral, ai vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për furnizimin e vendit me energji, transmeton Koha.net.

Ndërkombëtarët vazhdojnë të jenë kundër vazhdimit të jetës së Kosovës A jashtë vitit 2017, e në anën tjetër, si qeveria e kaluar, ashtu edhe kjo e tashmja me tone të zbutura kanë kërkuar mirëkuptim nga ndërkombëtarët për të lejuar funksionimin e tij derisa të nisë punën Kosova e Re.