Kadri Veseli thumbon Ramush Haradinajn, tregon se a po shkon vendi drejt zgjedhjeve

E publikuar: 20/07/2019 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka mbajtur konferencë për media, menjëherë pas rikthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ai ka thënë se vendimi i Ramush Haradinajt, për dorëheqje nga posti i kryeministrit, është bërë pa konsultim me PDK-në, duke thënë se tashmë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme sa më parë.Kurse, sa i përket ftesave nga Gjykata Speciale, Veseli ka thënë se të tilla do të vijnë edhe në të ardhmen, por ka porositur që nuk duhet këto ftesa të krijojnë huti në opinion.

“Vendimi i ish-Kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht që për këtë nuk kemi pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje, kurdo që caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet tash është vetëm koha kur ato duhet të mbahen. Për këtë, besoj se do të kemi konsulta edhe me partnerët e koalicionit të deritashëm dhe me partitë tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi”, tha Veseli.Ai tha se qytetarët tanë të kenë besim të plotë se shteti ynë, sovraniteti dhe integriteti – janë dhe do të jenë të pacenuara përjetë!“Dhe, Kosova qëndron fort afër me partnerët e vet perëndimorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Mbi çdo interes individual dhe partiak – qëndron Kosova! Si PDK, falënderojmë dhe sigurojmë qytetarët për përkrahjen dhe besimin e qëndrueshëm e të përbashkët në interes të vendit tonë dhe vlerave tona perëndimore. I sigurojmë ata se do t’i kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona për t’i dhënë vendit një Qeveri me mandat dhe legjitimet qytetar, sa më parë”, tha Veseli.
Duke folur për ftesat për luftëtarët e UÇK-së që po vijnë nga Gjykata Speciale, e që mund të vijnë edhe në vazhdim, sipas Veselit nuk duhet të lejohet të shkaktojnë huti dhe pasiguri te qytetarët tanë.“Besimi ynë në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur, ashtu si edhe bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë edhe në fund të kësaj sfide”, ka deklaruar Veseli në konferencë për media.