Ismaili thotë se edhe Vetëvendosje e dinte se beteja për demarkacionin ishte e humbur

E publikuar: 22/03/2018 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Fisnik Ismaili, ka thënë se Vetëvendosje e ka ditur se e ka të humbur betejën për demarkacionin.

Ismaili ka shkruar në Facebook se ish-partia e tij, Vetëvendosje dhe deputetët të larguar, që tashmë kanë krijuar grupin e ri parlamentar, kanë pasur mospajtime për mënyrën e veprimit kur çështja e demarkacionit të kthehej në Kuvend.

Sipas tij, beteja për të kundërshtuar demarkacionin kishte marrë fund më 11 qershor 2017, në zgjedhjet e përgjithshme.

Sot, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi me 80 vota pro, 11 kundër të GDP-së, ndërsa Vetëvendosje nuk votoi fare. VV katër herë gjuajti me gaz lotsjellës dhe shumica e deputetëve të kësaj partie u përjashtuan nga seanca.

Ky është shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Ismailit:

Para 3 vjetësh kur filloi kjo sagë, për mos me e lanë demarkacionin me kalue, kemi shkue përtej të imagjinueshmes. 16 veta i kundërshtuem dy veprime të këqija: Zajednicën edhe Demarkacionin, të bindun në padrejtësitë që ia shkaktojnë Kosovës. Edhepse kjo e dyta ishte më shumë kauzë e Ramushit, prapëseprapë i qëndruem ballë, u ngrehëm zhag, u burgosëm e protestuem. Nuk i ndalëm asnjanën, por arritëm me i shtye. Zhagitja e demarkacionit, në fakt, ishte edhe arsyeja më e madhe pse shkuem në zgjedhje.

Në zgjedhje folët ju. Krejt ju qytetarët. E dhatë votën tuej, duke e dijtë saktë pothuejse çdo detaj për Demarkacionin. Në fund prapë i votuet 120 përfaqësues, që kishin me qenë zani i juej në Kuvend. Grupi prej 16 vetash tash u rrit në 32. Ky grup (përveç një personi që e keni dijtë se prej kahi po vjen, por prapëseprapë i dhatë votë) i qëndroi besnik qëndrimit të tyne kundër demarkacionit, anipse kishte mospajtime në mënyrën e veprimit, kur të kthehet kjo çështje në Kuvend.

Votuesi ka folë me 11 qershor, në zgjedhjet që i pranuem krejt si demokratike. Votuesi e ka dijtë se cilët kandidat janë potencialisht PËR, e cilët KUNDËR demarkacionit. Të paktën ka besue se janë. Ata deputetë që kanë ndryshue qëndrim, janë në mëshirën e votuesit të vet. Lehtë është me iu thanë “tradhtarë”, por atëherë duhet me i quejtë njajtë edhe votuesit e tyne. Me i quejtë zdrala e zalloga qëndron, sepse e kanë rrejtë votuesin e tyne deri sot.

Me zemër të randueme sot vota ime KUNDËR nuk mjaftoi me e ndalë një të keqe të madhe për vendin tim. Nuk e kish ndalë edhe sikur t’i kisha gjujtë 20 bombola gaz, e ma pas shkue 7 herë në burg, aq sa nuk e ndalëm para 3 vjetësh, por veç e shtymë për tanë këtë kohë.

Para 3 vjetësh ka pasë shumë kuptim me gjujtë gaz, sepse tema e Demarkacionit na erdhi si prej qiellit. Sot, mbasi që votuesit i zgjedhën deputetët e rinj vjet, të vetëdijshëm për këtë punë, gazi s’kish kuptim ma. Ishte betejë se a po bahen 80 veta, apo jo, edhe u banë. 31 që e kundërshtuen, i ndejtën besnikë qëndrimit të tyne deri në fund. Të tjerët që ndryshuen mendje, e paçin veten në qafë.

U humb një betejë e madhe, e gjatë edhe e randë, sepse votuesi e vendosi me 11 qershor 2017.

Që kjo betejë është humbë, e kanë dijtë edhe kolegët tanë deputetë që hodhën gaz sot, por zgjodhën me e humbë në atë mënyrë. Është e drejtë e tyne, por njëherësh është edhe mënyrë që ne të tjerët nuk e pamë të arsyeshme me e ba, sepse nuk e kish ndalë këtë proces.

Këtë e kishin ndalë veç ata deputetë që nuk e kishin votue hiç, por zgjodhën me e votue PËR. Ata s’un i ndalë as me zor, as me qef. As para 3 vjetësh s’i ndalëm, por e çuem vendin në zgjedhje për me futë më shumë deputetë që janë kundër, por prapë ju, qytetarë të dashtun, i votuet qata 80 që sot votuen PËR.

Sado që kjo humbje është e randë, secili prej 120 deputetëve ka me jetue me ndërgjegjen e vetë për qëndrimin edhe veprimin e sotëm. Historia ka me i mbajtë mend.

Unë mbes faqebardhë para secilit votues tim për faktin që qëndrimin kundër demarkacionit nuk e kam ndryshue, pavarësisht që kish edhe asi që me kanë lutë me votue PËR, por edhe asi që kanë pritë se kam me ba rezistencë sot në Kuvend. Mbas 11 qershorit, ishit ju, krejt qytetarët, që i dhatë të drejtë vote atyne 80-ve, të cilën mue nuk më takon me ua ndalë votën me zor.

I kuptoj edhe dashamirët e Lëvizjes që për 4 muej rresht më fyen randë, përfshi edhe anëtarë të Kryesisë që me quejtën edhe tradhtar, sepse e kanë prej mllefit. Ua kam falë, por me harrue zor që ju harroj najherë, sepse me veprat e fjalët e jueja për 7 vjet, ju vetë m’keni ba me dalë prej aty. Sot po ka edhe asi që po shkojnë aq larg edhe fajin po ia lajnë GDP-së për demarkacionin. Gjithçka, veç mos me e fajësue veten. Ndoshta është koha me reflektue tash. S’ka shansa krejt bota me ju pasë faj, e veç ju me e pasë mirë. Hiç s’ka!

KREJT na, të 32-tët, kemi faj që i ngrehëm për hunde një milet të tanë për 3 vjet edhe dështuem. Tash, thjesht, s’po pajtohemi me veprimet e njani-tjetrit ma. Çka ndodhi sot është pikërisht pse jemi nda: a me e pranue humbjen, me u çue prapë në kambë edhe me i grahë punës, apo për çdo humbje me ia gjujtë dikujt tjetër fajin, duke akuzue gjithmonë me piskamë? Unë e zgjodha këtë të parën, edhe nëse më kushton me votë.

Ma s’po due veç me bërtitë, por me nisë me qitë gjana n’dritë.

Qëndrimet e mia, as parimet, s’kam me i ndryshue asnjëherë. Veprimet, amo, ndryshojnë prej rrethanave. Njeriu MUNDET edhe DUHET me qenë në gjendje me i ruejtë parimet e veta, duke i ndryshue veprimet, qysh i kam ndryshue plot herë. Për këtë vend kam me i dhanë gjithmonë krejt, tuj veprue qysh e shoh unë të drejtë: para lufte me protestë, në luftë me pushkë, në paqe me punë, në Kuvend me debat e aktivitet, kur duhet edhe në rrugë me protestë, more edhe me statusa në Facebook, najherë tuj shajtë, najherë tuj u sillë mirë. Por kam me mbetë gjithmonë ai që jam, edhe kam me ndryshue veç për të mirë.

E ju, qytetarë, sy në ballë keni, veshë po, edhe me vetëdije po i votoni qata 120 veta në Kuvend. Me pas qenë hera e parë a e dytë, thotë njeri që jeni habitë, por qe 18 vjet po i votoni qeta njerëz, s’un pritni mrekullina.