Mërgim Lushtakun: Veseli lider i madh, Haradinaj shpresë për zhvillim

E publikuar: 30/05/2017 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Mërgim Lushtaku është djali i madh i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, që këtë vit kandidon për deputet në Kuvendin e Kosovës, në listën e koalicionit PDK-AAK-Nisma. Thotë se si deputet do të vazhdojë rrugën e babait të tij të burgosur, siç konsideron Lushtaku, padrejtësisht, për krime lufte – “Të heqë qafe armikun, për ta bërë Kosovën”, duke qenë zë në parlament.

PDK-në thotë se e zgjodhi pasi është grupim i njerëzve të proceseve shtetndërtuese të vendit. Kadri Veselin e quan njeri dhe lider të madh. Ndërsa, për Ramush Haradinajn thotë së është shpresë për zhvillim. Bashkimin e Kadri Veseli me Haradinajn e Limajn për këto zgjedhje assesi nuk pranon ta quajë “Krah i luftës”, por thotë së janë “krahu i guximit, zhvillimit ekonomik dhe i marrjes së vendimeve të mëdha”.

Batutat se në Drenicë s’ka mbetur rrugë pa u asfaltuar, i riu nga Skenderaj që synon të bëhet deputet, nuk i pranon si të tilla. Thotë së rajoni prej nga vjen, historikisht ka qenë i nëpërkëmbur dhe më i pazhvilluari në tërë Kosovën.

Lexojeni të plotë intervistën me Mërgim Lushtakun, kandidat i PDK-së për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit.

Express: Pse vendosët të garoni tash për deputet? 

Lushtaku: I kam përmendur me një letër publike arsyet pse po garoj për deputet. Dhënia e kontributit për Kosovën edhe në këtë formë si deputet, për një vazhdimësi të cilën e ka filluar babai im, bashkë me shokët e tij, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, për ta hequr qafe armikun dhe për ta bërë Kosovën. Këtë rrugë, në një formë tjetër, po mundohem ta realizoj unë tani, duke i hyrë garës për deputet, duke qenë zë i përfaqësimit të rinisë, fillimisht, por edhe i tërë qytetarëve të Kosovës, atyre që do të më votojnë, por edhe i atyre që s’do të më votojnë. Do të mundohem të jem përfaqësues i interesave në dobi të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

– Pse jeni në listë të PDK-së dhe jo të ndonjë partie tjetër? 

Partia Demokratike e Kosovës është partia e të gjitha proceseve shtetndërtuese të Kosovës dhe si e tillë është pjesë e pashmangshme e historisë së re të Kosovës. Duke pasur në mend këtë fakt, dhe vazhdimësinë e rrugës për vlerat kombëtare, pas përkrahjes fillimisht të familjes në njërën anë dhe në mirëbesimin e kryetarit Kadri Veseli në anën tjetër, të cilin edhe dua ta falënderoj për besimin që ka treguar ndaj meje, kam vendosur të jem pjesë e listës së PDK-së. Kosovën e presin punë shumë dhe secili nga ne në çfarëdo forme duhet të japim kontributin për vendin tonë. Dy prioritete që e presin Kosovën janë zhvillimi ekonomik dhe integrimi euro-atlantik. Unë besoj fuqishëm që PDK-ja e ka kurajën dhe kuadrot që këto dy prioritete t’i përfundojë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Kjo është edhe një ndër arsyet që jam në listë të PDK-së.

 – Nëse bëheni deputet, a do t’i lini angazhimet tjera që i keni tani?

Po! Do të përkushtohem maksimalisht në atë që qytetarët ma kanë besuar me votën e tyre, që të jem zëri i tyre përfaqësues duke mbrojtur interesat e tyre në çdo formë dhe rrethanë. Mund të tingëllojë si deklarim klishe, por vërtet, me këtë qëllim i kam hyrë garës për deputet, të angazhohem aq sa më jepet mundësia dhe hapësira të kontribuojë në të mirë të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

 – A do ta zëvendësoni babanë tuaj, Sami Lushtaku? A do ta ndiqni rrugën e tij? 

E thashë edhe në fillim, se do ta vazhdoj rrugën e babës tim për të kontribuuar për qytetarët e vendit. Nëse e keni fjalën që ta zë vendin e babait tim, e kam të pamundur sepse angazhimi i tij ka qenë i një mënyre tjetër, ka qenë angazhim më i drejtpërdrejtë, qoftë gjatë kohës së luftës duke ia kthyer armët armikut, ose si kryetar komune, e cila është pozitë e një natyre më ekzekutive. Kurse, angazhimi si deputet është përpjekje për të përkrahur dhe miratuar ligje më të mira për interesat e qytetarëve të Kosovës.

 – A do të përkushtoheni edhe nga pozicioni i deputetit për babanë tuaj të dënuar. Pasi ju e keni konsideruar të padrejtë dhe politik procesin gjyqësor ndaj tij? 

Besoj që secili qytetar, aty ku graviton dhe ka mundësi, duhet të luftojë dhe të angazhohet për drejtësi. E kam thënë edhe në prononcime të mëhershme se babai im po mbahet padrejtësisht në burg, me një proces të montuar gjyqësor, mendoj unë, sepse s’mund ta kuptoj se si mund të shpallet fajtor një i akuzuar që kinse ka vrarë një person gjatë luftës, të cilit nuk i dihet identiteti, nuk i është gjetur kufoma e të vrarit apo edhe të dënohet për përgjegjësi komanduese, vendim i cili për herë të parë aplikohet te rasti i babait tim. Pra, ka mungesë të fakteve relevante për akuzat që babai im mbahet në burg, po e ritheksoj, padrejtësisht. Po, do të angazhohem jo vetëm për babën por edhe për të gjithë ata që u bëhet padrejtësi në vendin tonë, në Kosovë, për aq sa më lejon pozita dhe gjithmonë vetëm duke respektuar dispozitat ligjore.

– Tash e shumë vite, Qeveria e Kosovës është drejtuar nga PDK-ja, gjithashtu edhe Skenderaj është qeverisur nga kjo parti. A mendoni se është bërë mjaft për Drenicën dhe Skenderajn, pasi çdo herë thuhet se janë lënë anash? 

E mira s’ka fund! Në tërë vendin ka hapësirë për investime të reja, personalisht nuk mendoj dhe nuk veproj si “lokalist”, sepse Kosova është shumë e vogël për të bërë ndarje të tilla.

Por, historikisht rajoni i Drenicës, sidomos nën sundimin serbo-jugosllav, ka qenë i nëpërkëmbur dhe më i pazhvilluari në tërë Kosovën. Pas çlirimit, çdo investim në rajonin e Drenicës është vërejtur sepse gjendja ka qenë shumë e keqe, qoftë në infrastrukturën rrugore por edhe në zhvillimin e përgjithshëm të kësaj treve. Është punuar, por është e nevojshme që të investohet edhe më shumë si në Drenicë, ashtu edhe në çdo pjesë tjetër të Kosovës. Së paku një shekull, Drenica ka qenë rajon i lënë anash nga pushtuesi serb. Dhe, 5 deri në 10 vite investime e përkrahje, nuk mjaftojnë për ta përmbushur tërë atë neglizhencë dhe anashkalim.

 – Ka batuta në Prishtinë që thuhen për Drenicën se s’ka rrugë të paasfaltuar. A qëndron ky fakt?

Jo, nuk qëndron. Javën e kaluar kam qenë dëshmitar i asfaltimit të rrugës “Faik Jashari” në qendër të qytetit të Skenderajt. E gjetëm edhe këtë rrugë të pashtruar, dhe vendosëm që ta asfaltojmë edhe këtë rrugë të fundit që u gjend në Drenicë. Hahaha. Jo, vërtet, edhe brenda qytetit të Skenderajt vazhdon të ketë ende rrugë të paasfaltuara e mos të flasim për fshatrat përreth. Dihet që rrugët mundësojnë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Duke përmirësuar rrjetin rrugor qoftë të Drenicës por edhe të vendit në përgjithësi, e që bartëse kryesore në këtë proces ka qenë Partia Demokratike e Kosovës, mundësohet një jetë më dinamike dhe më e mirë për qytetarët. Është lajm i mirë dhe të gëzon fakti kudo që shtrohet një rrugë e re edhe jashtë Drenicës.

 – PDK më mirë me Kadri Veselin apo me Hashim Thaçin? Cili është mendimi juaj për kryetarin e kësaj partie?

Lidershipi i Hashim Thaçit ka qenë i suksesshëm, pasi prej fillimit ka arritur veç ta forcojë partinë por edhe të rrisë përkrahjen nga qytetarët. Ka pasur një qasje të hapur udhëheqjeje duke u shndërruar në një ombrellë për anëtarët kyçë dhe me ndikim në parti por edhe për anëtarësinë e gjerë. Me sukses edhe kryetari i tanishëm i PDK-së, Kadri Veseli, po e vazhdon rrugën e shokut të tij të luftës dhe pasluftës, presidentit të tanishëm Hashim Thaçi. Kryetari Veseli ka sjellë një dinamikë të re duke filluar edhe një reformim të partisë duke u hapur për njerëz të rinj brenda saj. Kryetari Veseli ka treguar një gatishmëri shtesë në kontribut dhe interes të vendit, duke bërë koalicion me AAK-në dhe Nismën, duke e liruar edhe postin e kryeministrit. Veprime të këtilla bëjnë njerëzit dhe liderët e mëdhenj, burrështetasit e vërtetë. Vizioni i tij për Fillimin e Ri, është një motor i cili na nxit të gjithëve në PDK për një impuls të ri.

 – Po, Ramush Haradinaj? Cili është mendimi juaj për të, që ai të jetë kryeministër nga koalicioni me PDK-në? 

Të gjithë qytetarët e dinë kontributin e vet Ramush Haradinajt dhe familjes së tij në luftën e çlirimit të Kosovës nga agresori serb. Bashkë me familjen Jashari, Haradinajt, mbesin dy familjet emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së Kosovës. Entuziazmi dhe gatishmëria e tij për të qenë i pari në qeverisjen e vendit, jep shpresë që Kosova të avancojë në procesin final të shtetndërtimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm. Ka qenë gatishmëria e PDK-së që ta pranojë liderin e AAK-së për kryeministër, por edhe besimi i Ramush Haradinajt që të bashkojë forcat me PDK-në për fitoren e padiskutueshme të koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe partnerëve tjerë të koalicionit. Ndërsa, këshilla ime për Ramushin është që si kryeministër t’i përfaqësojë vlerat e gjithë qytetarëve të Kosovës.

 – A është dashur të bashkohen me herët “Krahu i luftës”, apo tani është koha më e mirë që këta ta qeverisin Kosovën?

Unë do ta quaja “krahu i guximit, zhvillimit ekonomik dhe i marrjes së vendimeve të mëdha”, ndërsa është fakt që pjesa më e madhe e strukturave të partive në këtë koalicion janë persona që përfaqësojnë grupet më të rëndësishme të shoqërisë së vendit, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile, elitën intelektuale akademike, të gruas dhe atë të të rinjve. Nganjëherë vetë koha bëhet përcaktuese për të ndërmarrë veprime siç është ky i bashkimit të figurave kryesore që kanë bërë luftën në Kosovë kundër agresorit serb por edhe që do të kenë guximin për të marrë vendime të rëndësishme dhe në interes të vendit dhe qytetarëve. Sinqerisht nuk e di kur ka qenë koha më e mirë apo më e përshtatshme për t’u bërë bashkë. Një gjë e di sigurt, se bashkimi për të mirën e Kosovës, për të qeverisur drejt progresit dhe proceseve të rëndësishme që e presin Kosovën është veprim patriotik dhe atdhedashurie. /GazetaExpress/