Frika nga taksimi ngre çmimet e qirave

E publikuar: 28/10/2017 09:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëse mendoni të ndërroni shtëpi me qira, tetori është gjithmonë muaji i gabuar, pasi përkon me pikën më të lartë të rritjes së çmimit të qirave. Duke qenë se kryeqyteti ofron punë, e përpos kësaj arsimim pasuniversitar, kjo bën që me dhjetëra mijëra studentë të vërshojnë drejt Tiranës.

Fillimi i vitit akademik në tetorin e çdo viti bën që kryeqyteti pothuajse të rrisë çmimet në çdo shërbim që ofron, dhe një ndër to është dhënia e apartamenteve me qira. Por këtë vit, një zhvillim i rëndësishëm në fushën e strehimit ka bërë që çmimet të ngrihen edhe përtej kësaj luhatjeje sezonale. Jo më larg se dy muaj më parë, deklarimi i detyrueshëm i vendbanimeve bëri që çdo qytetar të deklaronte banesën ku jeton duke paraqitur pranë zyrave të Gjendjes Civile një sërë dokumentesh, ku një prej tyre është edhe kontrata që rregullon marrëdhënien qiradhënës-qiramarrës. Duke qenë se në momentin që çdo pronar i cili e lëshon ambientin me qira formalizon këtë marrëdhënie me qiramarrësin, e rrit çmimin pasi i largohet informalitetit e në këtë mënyrë 15% e fitimit nga qiraja shkon në shtet.

Këto arsye na shtynë që në harkun kohor të pak javëve të kërkojmë bashkë me agjentë të ndryshëm imobiliarë për apartamente të cilat përmbushnin kushtet optimale të jetesës. Ajo çka vumë re që ishte që çmimet ishin rritur ndjeshëm.
Qiratë shtrenjtohen me 35%

Gjithashtu për të qenë më konkretë me shifrat arritëm të bënim një krahasim të qirave për apartament (1+1; 2+1) në varësi të zonave kryesore për sa i përket muajve tetor 2016/tetor 2017.

Tetor 2016

Zona/Hapësira 1+1 2+1
21 dhjetorit- Zogu i zi 25000- 30000 all 30000-40000 all
Rruga e Durrësit/ Rruga e Kavajës 30000 all 35000- 40000 all
Qendër/ Pazari i Ri 30000-35000 all 40000-60000 all
Myslym Shyri- Drejtoria e Policisë 30000- 35000 all 35000- 50000 all
Blloku 35000-40000 all 45000- 70000 all

Burimi: “Alb Gate”

Tetor 2017

Zona/Hapësira 1+1 2+1
21 dhjetorit- Zogu i zi 250-300 eur 300-400 eur
Rruga e Durrësit/ Rruga e Kavajës 300 eur 350-400 eur
Qendër/ Pazari i Ri 300-350 eur 400-600 eur
Myslym Shyri- Drejtoria e Policisë 300-350 eur 350-500 eur
Blloku 350-400 eur 450-700 eur

Burimi: “Alb Gate”

Kështu, duke bërë krahasimin vjetor, luhatja kishte të bënte kryesisht me konvertimin e çmimit në euro. Nëse marrim parasysh kursin e këmbimit aktual, kjo përkon me një rritje prej 30%-35% të çmimit të qirave konfirmuar dhe nga aktorë të tregut. Nëse ardhja e studentëve është një fenomen sezonal, i cili eliminohet me krahasimin mes dy muajve të njëjtë, atëherë mund të dalim në përfundimin se ndryshimi drastik i çmimeve të qirave të apartamenteve këtë vjeshtë është i ndikuar vetëm nga formalizimi, apo frika nga formalizimi i këtij tregu. Por edhe pse pagesa e detyrimit tatimor prej 15% të vlerës së qirasë mund të justifikojë një rritje çmimesh në këtë masë, çdo veprim mbi këtë normë përbën një abuzim.

Nga ky abuzim përfitojnë mbi të gjitha qiradhënësit, të cilët ende nuk paguajnë detyrimet, por ngrenë çmimin bazuar mbi perspektivën për të paguar më shumë në të ardhmen, apo për t’iu përshtatur ofertës në zonën e apartamentit. Kjo dëmton të gjitha shtresat që varen tek marrja me qira e një banese, sidomos studentët, të cilët përballen me kulmin e rritjes dhe kanë një kohë të limituar për të gjetur strehim. Pas këtyre luhatjeve në treg, shumë qytetarë shprehen se me normat aktuale të kredisë për shtëpi, e cila në korrik ishte 3.9%, preferojnë të blejnë një apartament. Ndërsa zgjidhja e vetme për pjesën tjetër është të pranojnë të mbajnë në kurriz peshën e tatimit, ose të shkojnë përsëri drejt informalitetit.

 Shtëpia me qira në vjeshtë është “sfidë”

Apartamentet fillojnë nga 20 mijë lekë/muaj e sipër, qoftë edhe në periferi, ku kushtet lënë për të dëshiruar ose mobiliet mungojnë.

“Të gjesh shtëpi për tetorin e 2017 është kthyer në një sfidë më vete”, pohon një agjente e re.
Sipas agjentes nga “Alb Gate“, Era Plaka e cila ka 6 muaj që punon në këtë fushë, të gjesh një shtëpi për një klient vendas është një punë e cila merr kohë dhe ka nevojë për përkushtim nga ana e të dyja palëve.

Në një periudhë relativisht të shkurtër, Era ka arritur të kuptojë mjaft mirë si operohet në fushën e pasurive të paluajtshme, si një sektor i gjerë dhe sërish vendosja përballë e dëshirave të qiradhënësit dhe kërkesave të qiramarrësit është një raport i zhdrejtë dhe i vështirë që duhet ta rregullojë vetë ajo.
Këtë gjë e pohon edhe menaxherja e kësaj agjencie, Ticiana Bishqemi, e cika ka tashmë disa vite eksperiencë. Ajo thekson se funksioni i saj shërben sidomos për të informuar e ndërgjegjësuar klientët e agjencisë mbi vlerën reale të pronës së tyre.

“Agjencitë e ndërmjetësimit për pronat e paluajtshme në Shqipëri kanë hyrë shumë vonë si koncept dhe në përgjithësi vazhdon të jetë një proces pak i komplikuar, jo vetëm përsa i përket qiradhënies, por dhe rasti i kundërt. Në punën e përditshme, mundohemi t’i mbajmë marrëdhëniet e qëndrueshme dhe të bëjmë që klientët e të dyja palëve të mbeten të kënaqur. Normalisht, nuk përjashtohen rastet kur ka edhe paqartësi apo keqkuptime të çdo lloji,” shprehet Bishqemi.

Shpeshherë ndodh që pronari i banesës të kërkojë të vendosë një çmim i cili nuk justifikohet nga kushtet.
Faktorët që ndikojnë në përcaktimin e çmimit të një prone mund të jenë të ndryshëm duke nisur që nga zona në të cilën ndodhet banesa, sipërfaqja, arredimi dhe viti i ndërtimit të apartamentit.

Por në llogaritje hyjnë edhe faktorë më pak të zakontë dhe specifikë si: zotërimi ose jo i hipotekës, firma e ndërtimit përgjegjëse për cilësinë e punimeve, fasada e jashtme e pallatit në të cilën ndodhet prona, kati, orientimi dhe pamja, tualetet dhe ndriçimi i tyre, numri i ballkonëve, rifiniturat e brendshme, dendësia e ndërtimeve në zonë, afërsia me facilitete si shkolla apo institucione të tjera të domosdoshme për t’u patur pranë, hyrja në pallat, mundësia për parkim, etj.

“Më duhet ta pranoj se jo gjithmonë arrijmë t’i ndërgjegjësojmë klientë të tillë të cilët nisen nga nevoja e tyre personale për para për të caktuar çmimin e apartamentit”, rrëfen Plaka.

Bashkë me agjentet duke analizuar faktorët e mësipërm, nga njëra zonë në tjetrën, konstatuam që çmimet e apartamenteve me qira ishin rritur ndjeshëm dhe me një buxhet fillestar 20000 lekë (i cili në një pjesë të konsiderueshme të njerëzve është i barabartë me të ardhurat e tyre) ishte shumë e vështirë për të gjetur një hyrje. Zonat e vetme të cilat ofrojnë mundësinë për të bërë një zgjedhje duke i qëndruar besnik kësaj shume, kanë qenë Kinostudio, Fresku dhe Kombinati.

“Si eksperte imobiliare, përpiqemi që klientë të tillë t’i largojme nga zonat e shtrenjta dhe t’i orientojmë drejt periferisë. Sa me shume t’i afrohemi qendrës së Tiranës, aq më shumë limitohemi në sipërfaqe dhe kushte që ofron banesa”, thotë Ticiana.

Tashmë edhe këto zona duke marrë zhvillim pak nga pak, po hyjnë në zonat e kushtueshme. (Duke iu referuar çmimeve të referencës të vendosura nga shteti). Këtu mund të përmendim: Zona 3/1 (Xhamlliku, Rruga “Bardhyl”, Rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’ark”, Profarma) nga 75000 leke/m2 është bërë 79000 lekë/ m2; Zona 5/4 (Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël) ishte 80000 lekë/m2 bëhet 84000 lekë/m2, etj./SCAN Magazine