CNN për bashkëjetesën fetare: Shqipëria, vendi musliman që e do Amerikën!

E publikuar: 31/03/2016 11:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Harmonia fetare në Shqipëri dhe dashuria e një vendi me shumicë muslimane për Amerikën kanë qenë në fokus të një shkrimi të bërë nga CNN.

Korrespondentja e CNN e nis në këtë mënyrë shkrimin e saj; “Në këto kohë të dëshpëruara, kur terroristët islamikë vrasin fëmijët e krishterë dhe nënat e tyre të dielën e Pashkëve në Lahore, në Pakistan; kur një kandidat amerikan për president kërkon të ndalë muslimanët që hyjnë në Amerikë; kur terroristët në Bruksel kanë vrarë me dhjetëra vetë; kur mundësia e bashkëjetesës fetare duket e pamundur, ekziston një vend që mund të rikthejë besimin tek e ardhmja: Mirë se vini në Shqipëri!

Vendi ballkanik me shumicë muslimane, në një zonë që shpesh ishte sinonim i trazirave politike, është një model i bashkëjetesës ndërfetare. Dhe është njëkohësisht një nga vendet më pro-amerikane në botë. Po si ndodhi kjo? Përgjigja mbart në vetvete disa leksione të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Nëse ecën rrugëve të Tiranës dhe pyet njerëzit se çfarë mendojnë për Shtetet e Bashkuara, do të marrësh thuajse të njëjtat përgjigje; admirim, respekt dhe mirënjohje.

Pak a shumë të njëjta janë edhe përgjigjet për zgjedhjet presidenciale.

Shqiptarët thonë se nuk po e ndjekin garën me shumë vëmëndje, por reagojnë menjëherë kur dëgjojnë fjalën “Tramp”. Duke qeshur, duke tundur kokën apo duke rrudhur buzët. Nuk kanë dëgjuar shumë për Ted Kruz, dhe duken entuziastë për Hillari Klinton. Por kur vjen puna tek Tramp, reagimi është mosbesim, habi dhe refuzim.

“Ai më duket pak i çmendur, por i zgjuar” thotë Aurora Xhixha, një biologe. “Egoist” e përshkroi Endri Hasanaj.

Për thirrjen e Tramp që muslimanët të mos i kalojnë kufijtë e SHBA, Adelina Bego, një doktoreshë, më tha: “Këtu në Shqipëri ne jetojmë së bashku pa i vënë re ndryshimet fetare. Tek Amerika kemi parë gjithmonë një shembull për t’u ndjekur. Propozimi i Tramp, do ta shkatërrojë këtë shembull”.

Në shkrimin e CNN për Shqipërinë trajtohet dhe ndihma që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për vendin tonë në më shumë se 100 vjet histori.

Duke nisur nga Udrou Uillson, statujën e të cilit e gjen në një shesh të vogël në Tiranë që mban të njëjtin emër. Paralelisht përshkruhen dhe pritjet prej “rockstar” që iu janë bërë sekretarëve të shtetit nga Xhejms Bejker tek Xhon Keri.

“Marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë, nuk e kanë penguar Amerikën të flasë hapur për problemet e këtij vendi, përfshirë edhe korrupsionin e thellë. Por qëndrimi kohërent i amerikanëve, që jo vetëm kanë folur, por edhe kanë vepruar, i ka dhënë autoritetin e duhur moral mes njerëzve” shkruan në opinionin e saj gazetarja e CNN.

“Besoj se është e qartë, që rrënjët e dashurisë së shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara, është integriteti me të cilin ka vepruar Amerika përkundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i dalë në krah, duke mbrojtur standartet demokratike që ka vetë, dhe duke mos u penduar se i ndihmoi të rifitojnë lirinë.

Në një fushatë zgjedhore ku flitet për frikë dhe sesi të mendojmë për veten, ky është një mësim që ia vlen të kujtohet” e mbyll shkrimin e saj Frida Gitis.