Beteja e humbur e Ramushit

E publikuar: 13/09/2017 17:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ramush Haradinaj mund të ketë fituar beteja në luftë, por një të tillë e nisi keq të mërkurën dhe gjasat janë të mëdha që ta humbasë. Vetëm katër ditë pasi mori postin e kryeministrit të vendit, ai zgjodhi të konfrontohet me gazetarët. I konsideroi ata të pashkollë, teksa nuk i pëlqeu një pyetje rreth zgjidhjes së çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Ju po raportoni pa ditë se si po raportoni, besoni, shkoni më shumë në shkollë, shikoni çfarë po thonë ata. E kam lexuar deklaratën e amerikanëve dhe kjo që po thua ti nuk është ashtu”, i tha Haradinaj gazetares Kaltrina Zymberi, e cila kërkoi nga ai që ta komentojë qëndrimin e SHBA’së se nuk do të përkrah version tjetër të demarkacionit përveç atij aktual.

Një pyetje të tillë kryeministrit të vendit do t’ia bënte secili gazetar normal. Aq më tepër kur vetë Haradinaj këtë çështje e kishte ngritur në kauzë politike për dy vjet, duke i nxjerrë edhe njerëzit në protesta për ta kundërshtuar versionin e vitit 2015, respektivisht vijën kufitare të shenjuar nga komisioni në krye me Murat Mehën.

Por, të mërkurën Haradinaj u soll keq. U shfaq fyes, e jo bashkëpunues. Me fyerjen e gazetarëve ai zgjodhi të veprojë sikurse paraardhësi i tij. Po në fillim të mandatit, Isa Mustafa e kishte thirrur në telefon gazetarin Vehbi Kajtazi dhe e kishte kërcënuar e sharë, për shkak se ai kishte raportuar se vëllau i kryeministrit kishte kërkuar azil në Francë e Gjermani. “More qen bir qeni. Ki me pagu shtrenjtë këtë”, i kishte thënë Mustafa Kajtazit.

Dy vjet e gjysmë pas, Mustafa nuk është më në krye të qeverisë. Ai pagoi shtrenjtë për veprimet e tij. Gazetari Kajtazi vazhdon punën. Në ditën kur Haradinaj fyente gazetarët, ai raportonte për emërimin këshilltar të tij të një të dyshuari për lidhje me krimin.

* * *

Në krye të një kabineti qeveritar të fragmentuar e aspakt kompakt, Haradinajt më së paku i duhet të nis betejë me gazetarët. Përvoja ka treguar se këto beteja politikanët zakonisht i humbin. Jo vetëm në Kosovë.

Fyerja e gazetarëve nuk mund të arsyetohet me faktin se ai është më dinamik dhe energjik se politikanët tjerë, andaj edhe komunikon në këtë mënyrë. Gazetarët e kanë për detyrë t’i shtrojnë pyetje Haradinajt. Ai mund të përgjigjet ose jo, por kurrsesi të fyejë. Pyetje idioteske nuk ka – ka vetëm përgjigje të tilla.

E gazetarët duhet t’i shtrojnë pyetje dhe të kërkojnë përgjigje nga ai çdo ditë, çdo orë, çdo minutë. Ai ka zgjedhur vetë që të jetë në krye të qeverisë dhe të marrë përgjegjësinë për gjithçka. Ai ka zgjedhur të marrë përgjegjësinë edhe për demarkacionin, që e ka kundërshtuar me ngulm, ashtu si dhe Asociacionin. Ai ka zgjedhur të marrë përgjegjësinë për liberalizimin e vizave brenda tre muajsh. Po ashtu, ai ka zgjedhur të menaxhojë një qeveri megalomane me katër-pesë shefa, një qeveri që përfshin edhe njerëz nën hetime, një qeveri të shumicës së thjeshtë të varur direkt nga Lista Serbe, nga Beogradi.

Në vend se planet e tij t’i realizojë me mirëkuptimin e gazetarëve, ai krijoi armiq të rinj, thua se ka pak të tillë edhe brenda kabinetit që e udhëheq.

* * *

Para se t’i fyejë gazetarët, Ramush Haradinaj duhet t’ua ofrojë atyre dhe qytetarëve programin qeverisës – nëse e ka. Ose të tregojë se kur do ta ketë gati.

Para se t’i fyejë gazetarët, Haradinaj duhet të qartësojë se me çfarë kushtesh Lista Serbe ka pranuar të bëhet pjesë e qeverisë.

Para se t’i fyejë gazetarët, kryeministri duhet të tregojë se si do t’i zgjidhë çështjen e demarkacionit e Asociacionit, çështjen e dialogut me Serbinë dhe atë të krijimit të ushtrisë.

Përndryshe, kur flet për profesionalizëm, gazetarët duhet t’ia kujtojnë atij se është treguar më së paku i tillë atëherë kur ka pranuar të hyjë në koalicion me ata që thoshte se nuk do t’iu bashkohej kurrë. Është treguar më së paku i tillë edhe atëherë kur ka pranuar t’i jep dy poste të rëndësishme një sekseri që ia ka siguruar një votë për t’u bërë kryeministër.

Gazetarët, natyrisht, do të jenë kritikë ndaj veprimeve të Haradinajt. Ai ka dhënë premtime të mëdha dhe, mbase, si asnjë kryeministër deri më tash, do të monitorohet në vazhdimësi për ato që bën. Por, kjo nuk e përligj assesi qasjen e tillë ndaj gazetarëve nga ana e tij.

Kryeministri nuk është aty për të vlerësuar shkollimin e gazetarëve e as të askujt tjetër, por për të siguruar shkollim të barabartë e cilësor për të gjithë. Për të siguruar jetë të dinjitetshme për qytetarët, ashtu siç edhe ka premtuar. Megjithëse, disa gjëra shkolla nuk t’i mëson.