A po përgatitet Serbia ta njohë de facto Kosovën?!

E publikuar: 03/06/2015 20:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ben Andon
Lëvizjet e fundit tepër korteziale të z. Vuçiç të çojnë në logjikën se Serbia po mendon për një hap më të avancuar dhe kjo do të thotë që njohja e Kosovës “de facto” të sanksionohet me lëvizjet e zgjuara mbështetur në të drejtën ndërkombëtare, por gjithnjë duke e lënë “de jure” Kosovën të brishtë me Veriun e ndarë. Ndoshta një lloj Qipro moderne

Në episodin e fundit të romanit të Tolstoit, pas vetëvrasjes së Ana Kareninës, kont Vronski, i drobitur, niset si vetë­ndëshkim në front. I përgjigjet në ajri dikujt, turbull, ndërsa mjedisi tej xhamave mbushur me avull, sfumohet prej një kënge të ushtarëve rusë, kushtuar vëllezërve malazezë, që janë në siklete. Hyrje e gjatë, por për të treguar pak a shumë se rusët në Ballkan, historikisht kanë qenë të lidhur me Ballkanin, por jo aq sa pretendohet me serbët. Vitet kanë kaluar dhe nuk jemi më në fikshën, anipse në realitet që është gati afër fikshënit. Kjo lidhet me statusin e njëmendtë të Kosovës, që Serbisë i duhet ta pranojë indirekt paçka kostove të shumta. Njëra syresh lidhet me sakrifikimin e Rusisë, e cila s’është se i dhimbet aq shumë sa mëtohet serbëve. Ish­presidenti Tito ia ktheu kurrizin në kohën më të vështirë, kur Rusia ishte realisht baza e superfuqisë BRSS.

Për hir të së vërtetës, Rusia, me gjithë asistencën e saj të pretenduar, s’e ka ndihur aq shumë Serbinë. Nuk mundi ta lehtësonte në kohën e bombardimeve të NATO­s dhe nuk mundi as në kohën e menaxhimit të Kosovës. Ndaj serbët sot, të rrudhur gjithnjë e më shumë në mundësi, janë vënë në kërkim të aleatëve historikë. Dikur atyre që njiheshin si “të paangazhuarit” u kërkon të mos e ndryshojnë qëndrimin nga evoluimet gjeo­politike për Kosovën, paçka se kurrë republika e re, s’do jetë më si para vitit 1999. Vetë Serbia po ndjek një rrugë tjetër për të ligjëruar të gjithë këtë ndryshim të madh gjeo­strategjik. Kosova do mbetet sërish pjesë integrale e Kushtetutës serbe, por tanimë sfida historike e lidershipit, akademikëve dhe dinjitarëve të saj të së Drejtës Ndërkombëtare është sesa do gjejnë një mundësi për shikimin ndryshe të statusit të Kosovës, pas konsakrimit të statusit edhe nga Gjykata Ndërkombëtare.

Në thelb për serbët e sotëm, Kosova s’është “më asgjë”. Është thjesht një nocion gjeografik dhe historik, ku jetojnë patriotë të tyre dhe ku ndodhen objektet më të shenjta të kultit. Energjia për të luftuar për të ka humbur krejt në Serbinë e lodhur krize, kurse dhimbja mbetet në largimin e frymës evropiane, që e kanë shijuar dekada me radhë shumë më tepër sesa sot. Vërtetë i është hequr Metohia, pjesë e trashëgimisë së madhe historike dhe religjionit, por imperativi qëndron te normaliteti i jetës. Postulati serb dhe që kuptohet nga të gjitha lëvizjet është se kurrë s’do e njohin Kosovën “de jure”. Paçka se rrugëtimi evropian vërtetë nuk ua vë më si kusht Kosovën, por i këshillon për të, pasi zgjerimi ka shkuar në kalenda. Ndaj, në thirrje për të gjetur zgjidhje të problemit kosovar, tashmë Serbisë s’i mjaftojnë më politikanët, por kërkohen njerëz që njohin të drejtën ndërkombëtare për të gjetur një modul, ku të gjithë të mbeten të kënaqur. Tek e fundit, e ardhmja është një çati e përbashkët në Bruksel dhe kaq mjafton në fund të fundit. Politikanët fqinj kanë filluar të bëjnë përpjekje interesante për ta zbutur të gjithë tranzicionin.

Kryeministri serb Vuçiç, krejt ndryshe nga mendimet naive se do mbante një qëndrim përjashtimor ndaj kryeministrit kosovar në Tiranë, i zhgënjeu logjikshëm duke i dhënë dorën Mustafës dhe madje duke u futur në diskutim me të. Përgatitet të bëjë edhe një hap më të madh historik sesa të gjithë paraardhësit e tij, teksa do të lidhë Nishin me Durrësin, projekt që ka filluar qysh 100­vjet më parë, por atëherë si pushtim.

Në argumentin tonë, Beogradi po kthjellohet për momentin historik dhe nuk po humbet kohë, paçka mosmarrëveshjeve të brendshme, që po bëhen pak si shumë të dukshme publikisht Nikoliç­Vuçiç­Daçiç. Presidenti Nikoliç, i pyetur nga media pak kohë më parë nëse Serbia e kish humbur Kosovën, që ekzistonte para bombardimeve të vitit 1999 ka sanksionuar atë që shprehej dhe demokrati Tadiç: “Serbia nuk do ta humbë kurrë Kosovën, por nga ana tjetër: Unë s’jam president në Prishtinë. Kjo është e dhimbshme, por fatkeqësisht s’mund të bëj dot asgjë”. Dhe, për të treguar se gjërat që çalojnë tashmë janë në vetë politikën serbe: i është përgjigjur indirekt dhe zv/kryeministrit Daçiç: se nuk do ishin kurrë për ndarje të Kosovës. Në logjikën e tij ka të drejtë: Nëse një e treta e serbëve jetojnë në Mitrovicë dhe komunat përreth, dy të tretat jetojnë në Fushë­Kosovë dhe përtej. Ndërkohë, që vetë ndërkombëtarët janë të lodhur nga një proces tejet burokratik të bisedimeve dhe dinë mirë se kosovarët nuk do ta pranonin një gjë të tillë, ashtu sikundër serbët nuk do ta pranojnë 100% pavarësinë e Kosovës.

Dhe Daçiç, që Brukselin ka qytetin më të njohur pas Beogradit, indirekt ka lënë të nënkuptohet se u duhet të fillojnë lëshimet. Këto ditë, Aleksandër Vuçiç do jetë i ftuar në SHBA nga nënpresidenti Biden dhe në vizitë parashikohet dhe takimi me Obamën. Interesi amerikan duket se serbët mund të shihen si partnerë më të afërt, pikërisht edhe prej ‘indiferencës’ së tyre. “Bashkimi me BE­në s’është më çështje jetë apo vdekje sesa një çështje për jetë më të mirë”, ka përmendur Tomislav Nikoliç, që është ndjekur me të njëjtën sintaksë edhe nga kryeministri Vuçiç në Tiranë. Me pak fjalë, serbët e sotëm, thjesht, nuk mund të perceptojnë që janë jashtë Evropës si standard jetese. E dinë fare mirë se zgjerimi do marrë kohë, kurse afrimi me Evropën që për ta insiston deri në “absurd” me njohjen e Kosovës, është një akt që nuk i shqetëson shumë “de jure”. E vetmja gjë është se duan të çlirohen “de facto” duke e njohur Kosovën, sipas mënyrës së tyre. Dhe, në terren mund të shihet sesi po lëshojnë, por edhe sesi përndryshe po e ndihin indirekt forcimin e institucioneve kosovare me tërheqjet. Lëvizjet e fundit tepër korteziale të z. Vuçiç të çojnë në logjikën se Serbia po mendon për një hap më të avancuar dhe kjo do të thotë që njohja e Kosovës “de facto” të sanksionohet me lëvizjet e zgjuara mbështetur në të drejtën ndërkombëtare, por gjithnjë duke e lënë “de jure” Kosovën të brishtë me Veriun e ndarë. Ndoshta një lloj Qipro moderne.

Kthesa ka nisur me lëshimin e statusit për serbët e Bosnjës, me mos­atakimin e nacionalizmit të presidentes kroate dhe mbi të gjitha me qëndrimin alternativ për të shkëputur varësinë 100% të gazit prej Rusisë, por edhe afrinë më konstruktive me Amerikën, si kundërpeshë edhe me apatinë e burokracisë evropiane. Diplomacia ruse e di mirë këtë, nuk ka insistuar dhe paçka ndihmës që e kanë përdorur më shumë edhe të justifikojnë politikën e tyre ndaj “shteteve krijesa” të saj, me serbët janë treguar gjithnjë të kujdesshëm, duke përkrahur shpirtërisht shumë më tepër vendet e vogla të Ballkanit. Ato, që dikur luftëtarët e Tolstoit u kushtonin këngët e tyre luftarake.

/Gazeta Shqiptare/