Viti 2008: Njerëzit që preknin pavarësinë e Kosovës

17.02.2020 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Viti 2008: Njerëzit që preknin pavarësinë e Kosovës

Autor: Mero Baze

Prishtinë, 17 shkurt 2008

Dy fije te bardha letre i kishin modifikuar tabelat e dy dyerve të tualetit në një restorant qendror në Prishtinë. Në vend të fjalëve “Burra” dhe “Gra”, i zoti restorantit kishte ngjitur dy copa letre të bardhë, ku shkruhej “I pavarur” dhe “E pavarur”. Ky detaj, sa me humor aq dhe domethënës për të përkufizuar kënaqësinë e lirisë, mund t’i nxirrte pijen çdo klienti që kishte festuar deri pas mesnate të shtunën, duke gdhirë e diela e 17 shkurtit.

Një qytet i rritur me makthin e mungesës së lirisë tashmë po përpiqet të ulë rëndësinë e çdo nevoje jetike para pavarësisë. Në t-shirt-et e të rinjve lexon slogane gati-gati vetësakrifikuese në emër të pavarësisë. “Pavarësia është më e mirë se seksi”, “Pavarësia është më e mirë se të kesh rrymë”, “Pavarësia është më e mirë se interneti” dhe kështu me radhë, duke injoruar një listë të pafundme nevojash jetike për brezin e sotëm.

E thënë në mënyrë kaq modeste nga të rinj të angazhuar dhe vitalë që mbushin jetën e tyre falë seksit, internetit dhe rrymës, ky kolazh sloganesh ishte dekori real qytetar i pavarësisë. Flamuri kuqezi, tupanët, plisat e bardhë dhe simbolet e tjera të identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk ishin kurrfarë lajmi për çdo të huaj në Prishtinë atë ditë. Kurse gjestet e tilla të të rinjve dhe qetësia me të cilën ata donin të deklaronin se pavarësia për ta ishte jeta që u kishte munguar.

Përballja me shenjat e shtetit të ri

Askush nuk dinte ende asgjë për Flamurin. Mbasditen e 16 shkurtit, Hashim Thaçi na tregoi se Flamuri ishte printuar dhe ishte magazinuar. Por, nuk po shfaqej ende. Perëndimorët, që ngjanë si guvernatorët realë të Prishtinës, kishin drojë të bënin një test publik për flamurin para ceremonisë. I druheshin mospëlqimit apo traumës së vogël që ndjehej në momentet e para.

Hashim Thaçi nuk donte ta pranonte këtë. Njerëzit rrotull na mbushën mendjen se mosshfaqja e flamurit ishte vendim i brendshëm politik, pasi donin që njerëzit të festonin me flamur kombëtar.

E vërteta ishte diku në mes. Të dy palët nuk donin të bënin betejë për flamurin, i cili ishte thjesht një shenjë e pavarësisë, siç është unaza në gishtat e të martuarve, për hijeshinë, apo vlerën e së cilës nuk bëhet debat ditën e dasmës.

Aty afër mbrëmjes më në fund na e dhanë nga një flamur, por na u lutën të mos e shpalosim askund. Ishte një hartë e Kosovës e vizatuar në një sfond të kaltër të thellë me yje të verdhë. Një flamur që të kujtonte ngjyrat dhe simbolet e Evropës.

Ishte si një anestezi kundër çdo emocioni kombëtar. Një mënyrë për të na treguar të gjithëve se këtë shtet na e bëri Perëndimi. Doja pak kohë ta bindja veten që ishte i mirë. Por, e hoqa nga lista e sendeve që do ta ruaja si kujtim nga pavarësia. Nuk m’u duk një gjë shqiptare. Më shqiptar m’u duk plisi.

Ia mora djalit të Arbën Xhaferit në Restorant “De Rada” plisin që mbante në kokë.

– Do ma dhurosh mua këtë, i thashë, ta kem kujtim nga pavarësia.

Pak më vonë filloi festa. Filluan të numërohen minutat dhe sekondat, ndërsa në orën 12 të natës, kur filloi dita e 17 Shkurtit, gjithçka kaloi në ekstazë. Djem të rinj me tupanë, vajza që vallëzonin si të çmendura “Vallen e Shotës”, politikanë që harruan ndarjet politike, gazetarë dhe diplomatë të huaj – ishin një. Ishte aq e fortë ndjenja e gëzimit që po ndodhte diçka e madhe, sa thirrjet e Albin Kurtit dhe disa aktivistëve të tij se “kjo është rrenë” dëgjoheshin duke buzëqeshur. Të gjithëve u dukej se dhe ata ishin të gëzuar.

Një poster i madh, me një grafik të Adem Jasharit me sloganin “Bac u kry”, ishte si një poster shterues për këdo që ishte kundër festës.

Pastaj u ngrita për të vazhduar festën në një klub tjetër në dalje të Prishtinës. Fadili, një ish-ushtar i UÇK-së të cilin e njihja prej kohës së luftës, ishte aty. Bashkë me Elën, një kolege nga Tirana, vendosëm t’i bëjmë surprizë.

Pasi u përqafova me të, i thashë:

– Kam një dhuratë për ty. Je i pari që e shikon.

Fadili po më shikonte i hutuar. Hapa çantën dhe nxora flamurin e Kosovës.

– Merre, i thashë, se ke luftuar.

Fadili shtangu dhe për pak u tërhoq mbrapsht.

– Çfarë është ky, bre?

– Flamuri – i thashë.

Pâ një herë i hutuar se mos tallesha, pastaj e shtyu pak me dorë tutje.

– Jo mor burrë – tha. Ky është për këta që janë në punë shteti. Unë jam privat. E kam flamurin tim.

Me plisin e vendosur në kokë u ktheva tek “De Rada”. Veton Surroi dhe Arbën Xhaferi ishin ulur të dy në një tavolinë. Hoqa plisin dhe iu luta ta nënshkruanin atë nga pjesa e brendshme.

– Kam vendosur ta ruaj si relikë nga pavarësia – u thashë.

E firmosën të dy, duke ma respektuar dëshirën me një përtesë që buronte nga dyshimi se nuk do ta ruaja gjatë.

Të nesërmen ia dhashë për firmë dhe Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçit. Ata firmosën nga pjesa e jashtme.

Në atë kohë pashë se plisi im u bë i rëndësishëm. Ai kishte nënshkrimin e katër njerëzve të rëndësishëm të Kosovës, njollat e verës që ishin derdhur tek De Rada, gishtat e mi bërë pis nga ushqimi dhe një shkelje me këmbë nga valltarët që u binin tupanëve. Prej asaj dite vendosa ta mbyll në një kuti në Tiranë, si të vetmin send që ma kujton pavarësinë.

     

Si e përjetonin serbët e Kosovës pavarësinë?

Vendosëm të shkonim në Fushë Kosovë. Legjenda e Fushës së Mëllenjave, “djepi i legjendave serbe” për Kosovën, ishte duke jetuar historinë e re. Dikush na premtoi se do të takonim serbin Grujiq, një personazh nga ata që ishte shfaqur në krah të Milosheviqit më 1987.

Në mendjen time, për shumë prej atyre serbëve që kishin mbetur aty pavarësia mund të ishte përsëritja e Betejës së Fushë Kosovës. Serbët i kanë gjitha mitet e ngritura mbi humbjet e tyre. Ata ende besojnë se “osmanët kanë prodhuar dhimbje kombëtare për Serbinë”. Ata kanë shenjtëruar çdo gjë të humbur aty, duke filluar nga Car Llazari.

Godina e Komunës në Fushë Kosovë

I vetmi që është përpjekur ta tronditë mitin e tyre për Fushë Kosovën ka qenë shkrimtari ynë Ismail Kadare, i cili në esenë e tij për Betejën e Fushë Kosovës dëshmon për një histori të përbashkët shqiptaro-serbe, për një humbje të përbashkët dhe rezistencë të përbashkët. Por, kjo vlen për të huajt. Për serbët vlen legjenda e tyre, vlen miti i humbjes së Fushë Kosovës.

Në emër te këtij miti, në emër të vajtimit të humbjes, ata kanë prodhuar një identitet të veçantë në Ballkan, identitetin e kombit humbës që është i mahnitshëm në vajtimin e tij.

Beteja kundër Kosovës së shekullit 20 nisi po aty, në fund të viteve të 1980-ta. Millosheviqi u përpoq ta risillte mitin e humbjes së Fushë Kosovës në ideologjinë e tij nacionaliste si një shtysë kryesore. E nisi nga ky ballkon. E nisi nga ky fshat. E nisi me këtë njeri që kisha në krah, me serbin e thjeshtë  Grujiq. Tashmë, Millosheviqi i ka humbur të gjitha, pushtetin, lavdinë dhe Kosovën. Grujiq ka mbetur këtu. Ka ikur të bëjë pazarin në Prishtinë dhe do kthehet, që nesër, kur të festohet, të jetë brenda në shtëpi.

Për të, historia e Fushë Kosovës është historia e thjeshtë e nevojës për të jetuar. Kur i duhej të ishte në pushtet, ishte në krah të Millosheviqit. Në vitin 1999 ai ka parë kush e ka vrarë Fehmi Aganin dhe ka ndihmuar në gjetjen e vrasësit. Është një njeri me gjithë veset dhe virtytet që mund të ketë një njeri që e ngrys jetën në një fushë të mbushur me sorra, që në çdo rast të ngjallin trishtimin e kufomave diku rrotull teje.

Duke ecur përmes fshatit Bresje, rruga të fut në fshatin fqinj Uglar, edhe ky me shumicë serbe. Në një varrezë të vjetër në mes të fshatit janë grumbulluar rreth 30 vetë dhe kujtojnë diçka. Afrohemi dhe na shikojnë si të shtangur. Distanca është e qartë. Nuk duan t’i filmojë askush në dhembjen e tyre. Një djalë i ri na afrohet dhe na bën shenjë të largohemi.

Një polic serb i Shërbimit Policor të Kosovës po ashtu na këshillon të vazhdojmë rrugën. Enveri më shpjegon se nuk bëhet fjalë për vdekje, por për ndonjë përkujtimore. Banorët serbë ngjajnë të trishtuar, por dhe të varfër. Enveri më ndaloi në dyqanin e një miku të tij serb në mes të fshatit. Më ftoi brenda për një kafe. Ishte mjerim. Dyqani ishte tejet i varfër dhe rrezatonte nevojat e popullsisë rrotull tij. Ishte një kioskë e keqe dhe pa shumë hapësirë. I zoti i dyqanit mësoi se isha gazetar nga Shqipëria dhe nuk e ndryshoi mimikën  e fytyrës. Kjo m’u duk shumë pozitive. E pyeta ku furnizohej dhe sa xhiro kishte.

– Shumë pak – tha – veç për lagjen këtu rrotull. Nga shqiptarët i blejmë sendet.

Rruga përtej dyqanit të ngjiste në një kodër që të çonte në fshatin Preoc, po ashtu i banuar nga serbë, por që i takonte komunës së Prishtinës.

“Fusha e Mëllenjave”

Nga kodra dukej Gazimestani, vendi i pelegrinazhit mitik të Sllobodan Millosheviqit në qershor të vitit 1989, kur solli aty mbi 1 milion serbë për të ringjallur mitin e Betejës së Fushë Kosovës – dhe e ngjalli. Me atë mit ndezi në flakë Jugosllavinë dhe Serbia humbi gjithçka që mund të humbte. Teorikisht, miti i humbjes funksionoi, duke prodhuar një humbje të re për serbët.

Tanimë në Fushë Kosovë jetojnë rreth 2500 serbë. Janë katër fshatra, ku janë koncentruar, Bresja dhe Uglar, me popullsi të përzier, ku dominojnë serbët dhe Batuse dhe Kuzmin, që janë të pastra me serbë.

Me paketën e re “Ahtisaari”, nga e cila do të burojnë ligjet që do të qeverisin Kosovën, serbët kanë ligjërisht aq shumë të drejta sa nëse do të dinë t’i përdorin do të ndjehen të diskriminuar pozitivisht, pasi nuk kanë aq kapacitet dhe mundësi për t’i përdorur ato mundësi.

Por, diçka më e fortë dhe e pazëshme i mban ata ende larg integrimit me shqiptarët. Historia ka prodhuar shumë legjenda dhe ata e kanë të vështirë t’i harrojnë të gjitha kaq shpejt, megjithëse shumë prej tyre duan t’i harrojnë. Janë një popullsi në hall. Një popullsi të cilën Beogradi nuk e do në Beograd, por në Fushë Kosovë. Nuk e do të pasur por të varfër, që të vajtojë për të. Nuk e do të barabartë, por të poshtëruar që të protestojë për të. Ata janë “mish për top” për ta mbajtur gjallë flakën e një lufte që ka mbaruar. Ata kanë vetëm një të ardhme dhe atë e kanë aty, në shtëpitë e tyre, duke besuar te shteti i ri që po lind me mbështetje të Perëndimit.

Kosova ka shans të bëhet një shtet i së drejtës më i mirë se Shqipëria dhe Serbia. Shanset ia kanë dhënë ata që e ndihmuan për pavarësinë e saj. Qytetarët e Kosovës duhet të bëhen pjesë e kësaj historie të re. Fushë Kosova nuk mund të mbetet një djep mitesh për humbjen e përjetshme të serbëve. Varrezat e rejat të fshatit Uglar të ngjallnin trishtim, mes të tjerash për faktin se kishin vetëm pesë varre. Shumë pak për të gjithë këtë histori që duan të konsumojnë me këta serbë në hall.

Dy portretet e pavarësisë

Pavarësia u shpall. Hashim Thaçi, përkundër përpjekjes për të qenë korrekt me intonacionin e zërit, duket se u bë i ndjeshëm dhe më pak aktor kur tha se e deklaron “Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.

Përballë tij rrinte i ulur presidenti Fatmir Sejdiu, i cili pak minuta më parë kishte mbajtur një fjalë shumë mbresëlënëse për çdo shtetar të botës. Kishte korrigjuar me takt dufet politike të Jakup Krasniqit kundër Ibrahim Rugovës, kishte respektuar familjen Jashari, kishte përshëndetur aleatët e mëdhenj të Kosovës dhe kishte përcaktuar Ditën e Pavarësisë si ditë që ndan dy epoka të Kosovës.

Profesori i njohur i Prishtinës është ndoshta nga të paktët njerëz në të kryeqytet që di më mirë se kushdo gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe. Shqipja e tij letrare është për t’u pasur zili nga çdo profesor i Tiranës, ndërkohë lehtësia me të cilën ai lexoi një paragraf serbisht tregonte për të njëjtën gjë, edhe pse unë nuk di ta vlerësoj. Së bashku me Hashim Thaçin ata janë një duet real i Kosovës, një duet që përfaqëson historinë reale dhe rrathët ciklikë në të cilat kaloi profecia e formimit të shtetit të Kosovës.

Fatmir Sejdiu përfaqëson qartë brezin që arriti t’ia shkëpusë Jugosllavisë së Titos Universitetin e Prishtinës dhe të drejta të tjera kombëtare që përbëjnë zanafillën e formimit të elitës në Kosovë, pa të cilin një shtet s’mund të formohet kurrë. I bashkuar qysh në fillim me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai ishte një figurë solide por jo e zëshme e lidershipit që udhëhoqi shtetin paralel të shqiptarëve në Kosovë deri në vitin 1999, kur pas radikalizmit të situatës prej UÇK-së, ndërhyrja e NATO-s i dha fund pushtimit serb të Kosovës.

Vdekja e Rugovës i hapi rrugë karrierës së tij si president dhe dy muaj më parë ai është rikonfirmuar pa hezitim nga Kuvendi i Kosovës.

Njeriu me të cilin ai bashkëqeveris Kosovën i përket një brezi tjetër dhe një historie tjetër. Hashim Thaçi padyshim i përket gjeneratës revolucionare të Kosovës. Rinia e tij përkon me ngritjen e nacionalizmit serb në Kosovë dhe kufizimin e lirive të fituara pas vitit 1974.

Për këtë shkak, ai dhe shumë bashkëmoshatarë të tij iu bashkuan një rruge më revolucionare. Të inspiruar fillimisht nga nacionalkomunizmi, ata u bënë ithtarë të Shqipërisë dhe mbështetën shpresat te ndihma e saj. Demokratizimi i Shqipërisë dhe zhvillimet në Kosovë krijuan plot hendeqe për një konspiracion kombëtar kundër Serbisë. Shqipëria demokratike nuk ishte aq e lirë sa të vepronte si shtet kundër Serbisë, kurse Kosova me një sistem paralel nuk ishte ëndrra e Hashim Thaçit.

Duke iu bashkuar grupeve ilegale që më pas u strukturuan në UÇK, ai arriti të bëhet udhëheqësi politik i tyre falë edhe mbështetjes së Shqipërisë, dhe shumë shpejt arriti t’i dominojë ata. Pas çlirimit të Kosovës, ai udhëhoqi partinë e dalë nga UÇK-ja dhe diti të përballojë mungesën e mbështetjes popullore për ta. Ai arriti të kuptojë se revanshi në emër të luftës iu kujtonte kosovarëve diktaturën dhe ata ia dhanë këtë mesazh partisë së tij.

Si rrallëkush nga liderët revolucionarë, ai ndryshoi shpejt. U bë i dëgjueshëm për ndërkombëtarët dhe i hapur me gjithë faktorët politikë në Kosovë dhe Shqipëri. Adaptoi shumë praktika kompromisi, derisa në fushatën e fundit, duke imituar së largu fushatën e Sali Berishës në vitin 2005, prodhoi një frymë shprese në Kosovë kundrejt LDK-së që ishte përçarë pas vdekjes së Rugovës.

Formoi një qeveri me kundërshtarët e vet dhe sot fati e solli ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Një destin që të bën të besosh te mitologjia, bëri që pavarësia të vononte në Kosovë, po aq sa do të vononte ardhja në pushtet e liderit të UÇK-së. Por, ai sot është i qetë dhe skifterët rrotull tij kanë heshtur.

Të gjithë e kuptojnë se dita e madhe e Kosovës ka nevojë që të ndryshojnë të gjithë. Ky shtet që lind nga salla e këtij Kuvendi, sot ka vetëm një armik të madh që mund ta shkatërrojë revanshi i shqiptarëve drejt një shteti batakçi. Të gjithë armiqtë e tjerë janë armiq që mund të munden. Portretet e Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit do t’i shoqërojnë gjatë shqiptarët e Kosovës në historinë e tyre si dy liderë që ditën të bashkohen për t’i dhenë siguri dhe shpresë Kosovës. Por, nesër politika do t’i ndajë dhe nuk ka asgjë dëshpëruese. Dëshpëruese do të jetë vetëm mosndërtimi i një shteti kosovar të së drejtës që të këtë realisht një identitet evropian, për të garantuar investimin perëndimor atje.

“Garantët” e pavarësisë që nuk ishin në tribuna

Mbrëmjen e 17 shkurtit, Arben Xhaferi dhe Veton Surroi, dy ikona të fytyrës politike shqiptare në rajon dy dekadat e fundit, e ndiqnin tashmë si spektatorë festën e pavarësisë.

Në restorant “De Rada” në Prishtinë, të dy politikanët e vjetër të brezit të ri janë shumë tokësorë në sfidat që e presin përpara shoqërinë e Kosovës.

Veton Surroi është ndoshta njeriu me më shumë kontribut në ndërkombëtarizimin e Kosovës këto dy dekada, i cili nuk pati fatin të firmosë mbi Dokumentin e Pavarësisë.

Zgjedhjet e fundit, të zhvilluara nën një trysni shumëfishe të varfërisë, nevojës për perspektivë dhe retorikës, nuk i dhanë shanse grupimit të tij liberal të kalonte pragun. Për dy dekada ai mbetet gazetari më i spikatur i Kosovës dhe thuajse referenca numër një e botës perëndimore në Kosovë. Vazhdimisht ka probleme me historinë e tij me lidershipin politik. Ishte kritiku më i hidhur i Rugovës, pastaj kritik i revanshit të ish-luftëtarëve të UÇK-së. Gjë që, natyrisht, nuk e bën më pak të komplikuar në vlerësimet e tyre.

Duke qenë një kujdestar i gjesteve perëndimore në Kosovë dhe njëkohësisht një shqiptar i denjë, ai nuk ndjehet aspak i trishtuar që nuk ka hedhur firmën simbolikisht mbi papirusin e pavarësisë. Në një letër dërguar babait të tij 20 vjet pas vdekjes, botuar në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ai e përkufizon qartë gjithë ëndrrën perëndimore të brezit të tij dhe ëndrrën e vdekur jugosllave të paraardhësve te tyre. Kosova ka nevojë për frymën dhe diejt e tij tashmë më shumë së kurrë. Tani që dikush duhet të ngrihet dhe t’iu thotë “Stop” atyre që mund të devijojnë ëndrrën për një shtet të lirë dhe të drejtë në Kosovë.

Arben Xhaferi tashmë nuk merret më me politikë. Sëmundja e rënduar e ka nxjerrë atë para kohe në pension, por kjo nuk i ka zbehur angazhimet e tij. Gjykimet e tij për problemet që do të hasë shteti i ri i Kosovës janë realiste dhe ai nuk ngurron t’ua thotë të gjithëve miqve të tij që e drejtojnë Kosovën sot. Pakkush tjetër brenda lidershipit të Kosovës ka aftësinë të imponohet me kritika dhe vlerësime objektive për rreziqet që e kërcënojnë shtetin e Kosovës nga shqiptarët.

Bujar Bukoshi mund të cilësohet e vetmja specie në zhdukje e politikanëve autoritativë të Kosovës që ka një formim të qartë perëndimor dhe që di të përfaqësojë vijën e re politike aty. Me një kredo të rritur politike nga zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe me një nivel kulturor të diferencuar në krahasim me shumicën e politikanëve që firmosën pavarësinë, ai po ashtu është i qartë në sfidat që e presin Kosovën dhe në rreziqet që e kërcënojnë atë.

Një elitë e tillë politike është një pasuri për Kosovën: kuvendi, qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit kanë nevojë për vizionin e njerëzve që nuk ndjekin pas fishekzjarrët e Ditës së Pavarësisë.

Shqipëria në Kosovë

Shfaqja e një grupi polifonik nga jugu i Shqipërisë në transmetimin direkt në “TV Klan” ishte trokitja e parë e Shqipërisë në festën e Kosovës. Televizionet e Tiranës, që ishin pa asnjë mëdyshje si në shtëpi të tyre, e ndezën situatën. Shumica e qytetarëve të Prishtinës e ndiqnin ceremoninë përmes “Top Channel” dhe “TV Klan”.

Një grup polifonik lab, i organizuar nga një ish–minator nga Bulqiza, që gjendet bashkë me ta emigrant në Greqi, ishin surpriza e ditës së Pavarësisë. Grupi miks me këngëtarë të grupit të Bënçës, Lazaratit, Delvinës, etj., mbërriti në sheshin para hotelit “Grand” dhe tronditi Prishtinën.

Aftësia e tyre për të improvizuar tekstet kushtuar luftëtarëve të UÇK-së, figurave politike të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare që kishin kontribuar për pavarësi, ishte mahnitëse për mijëra qytetarë të Kosovës. Rapsodët e jugut, edhe pse shumë larg Kosovës, njihnin Sulejman Selimin, Agim Çekun, Hashim Thaçin, Ibrahim Rugovën, Martti Ahtisaarin, Toni Blerin dhe gjithkënd që kishte vënë një gur për pavarësinë e Kosovës. Dhe iu këndonin të gjithëve pa pushim me polifoninë e tyre të mrekullueshme.

Më pas u zhvendosën në hotelin “Grand” dhe u ulën në një tavolinë, e cila qëndroi ashtu për katër-pesë orë. Por, nuk ishin vetëm rapsodët e jugut ata që më befasuan në Kosovë, më shumë ishin të rinjtë nga Tirana dhe Durrësi që kishin ardhur privatisht. Takova dhjetëra të njohur prej tyre, nga ta që shoh në klube nate në Tiranë dhe që më krijonin ndjesinë se nuk dinin ku binte Kosova. Ishte disi i pashpjegueshëm mërgimi i tyre drejt Kosovës atë ditë. Por, ishte shumë i natyrshëm.

Askush nuk i kishte nisur. Askush nuk i kishte frustruar me retorikë nacionaliste. Kishin ardhur me dëshirën e një të riu që kërkon të pushtojë hapësirat përreth. Dhe m’u dukën të gëzuar. M’u dukën ndryshe nga përpjekjet e politikanëve të Tiranës për të pozuar në ekrane në çastin e nënshkrimit. Atyre nuk iu interesonte fotografimi si dëshmitarë të pavarësisë. Ishin aty për ta prekur atë.

(Botuar për herë të parë më 24 shkurt 2008, në Gazeta TemA)

Komentet

Komente

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!


Çka i duhët njeriut pothuajse të përkryer Albin, për të qënë edhe politikan i madh?

Çka i duhët njeriut pothuajse të përkryer Albin, për të qënë edhe politikan i madh?

Si arriti t’i mashtronte Albin Kurti të rinjtë e qytetëruar të Prishtinës?

Si arriti t’i mashtronte Albin Kurti të rinjtë e qytetëruar të Prishtinës?

Ata që votuan me maska, nuk rrëzuan Albinin, pështynë mbi zgjedhësit 51 minuta më parë

Ata që votuan me maska, nuk rrëzuan Albinin, pështynë mbi zgjedhësit 51 minuta më parë

Mos lejoni të vijë “errësira” në ditët e karantinës. Gazetarët duhen ndihmuar!

Mos lejoni të vijë “errësira” në ditët e karantinës. Gazetarët duhen ndihmuar!

“DER STANDARD”, “Krahu I Dinozaurit” I LDK-Së Isa Mustafa I Gatshëm Për T’ia Kënaqur Apetitet Serbisë Sipas Propozimit T’Grenellit

“DER STANDARD”, “Krahu I Dinozaurit” I LDK-Së Isa Mustafa I Gatshëm Për T’ia Kënaqur Apetitet Serbisë Sipas Propozimit T’Grenellit

Mr. President Trump, say, enough is enough!

Mr. President Trump, say, enough is enough!

Ne edhe Zotit ia kemi lënë ‘vendin’ në fund të alfabetit

Ne edhe Zotit ia kemi lënë ‘vendin’ në fund të alfabetit

Edhe një herë Ahmedin Shkriel e qet nga binarët presidentin serb Vuçiq

Edhe një herë Ahmedin Shkriel e qet nga binarët presidentin serb Vuçiq

Pandemitë e mbysin edhe dhembshurinë

Pandemitë e mbysin edhe dhembshurinë

SHQIPTARET DHE PARTIA MAQEDONE LSDM

SHQIPTARET DHE PARTIA MAQEDONE LSDM

Nga presidenti Willson tek ambasadorja Yuri Kim

Nga presidenti Willson tek ambasadorja Yuri Kim

Ataturku dhe rasti i humbur i shqiptarëve

Ataturku dhe rasti i humbur i shqiptarëve

Femër apo Grua?

Femër apo Grua?

Kurrë s’është boll më shkru për çika

Kurrë s’është boll më shkru për çika

Taksa në vend së ta nokautoj ekonomikisht Sërbinë, e nokautoi diplomatikisht Kosovën !

Taksa në vend së ta nokautoj ekonomikisht Sërbinë, e nokautoi diplomatikisht Kosovën !

Stigma ndaj Lubonjës manifeston frikë

Stigma ndaj Lubonjës manifeston frikë