20 milionë euro letra me vlerë në dispozicion për diasporën

E publikuar: 21/02/2016 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duke filluar nga ky vit, Ministria e Financave do të përfshijë edhe diasporën në letrat me vlerë të qeverisë.

Ministria, përmes ekspertëve të Thesarit të Shtetit, është duke finalizuar produktin e ri, prej rreth 20 milionë euro, të letrave me vlerë për diasporë që ka një potencial të madh financiar.

Këto letra me vlerë, sipas ministrit të Financave, Avdullah Hoti, do të sigurojnë mjete për qëllime specifike, siç janë subvencionet për bujqësi dhe për ndërmarrje të vogla.

“Përmes kësaj forme, diaspora mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe, gjithashtu, përfiton një normë interesi, që është më e lartë krahasuar me normën e interesit nga depozitimi i mjeteve në bankat në vendet ku janë diaspora apo në bankat në Kosovë”, ka thënë Hoti, raporton Koha.net.

Ministri Hoti potencon se ky produkt i ri i letrave me vlerë vjen pas përmbylljes me sukses të vitit të kaluar sa i përket huamarrjes së brendshme dhe interesit jashtëzakonisht të madh të tregut financiar për të blerë letra me vlerë të qeverisë në ankandet e fundit.

“Kjo reflekton besimin e shtuar të publikut në qëndrueshmërinë dhe menaxhimin adekuat të financave publike. Këtij besimi të shtuar i ka kontribuar edhe programi i Qeverisë me FMN-në, ku janë të paraparë masat konkrete që do të ndërmerren sa i përket reformave strukturore dhe nivelet përkatëse të shpenzimeve dhe të hyrave që duhet të arrihen nga Qeveria”, ka përfunduar ai.