Zvarritet zgjedhja e Bordit “Prishtina Parking”, përplasje mes VV-së dhe PSD-së

E publikuar: 31/01/2019 14:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Komunal i Aksionarëve në Komunën e Prishtinës për Ndërmarrjen “Prishtina Parking”, nuk po mund të koordinohen në mes vete për zgjidhjen e anëtarëve të rinj të bordit të kësaj ndërmarrje.

Gjatë viti të kaluar kanë dështuar dy konkurse për zgjedhjen e këtij bordit.

Ndërsa në tetor të viti 2018 Komisioni i Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking”, kishte emëruar përkohësisht katër anëtarë të Bordit të kësaj ndërmarrje, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, emërimin e tyre opozita e pati quajtur të kundërligjshëm, sepse sipas tyre këta kandidatë nuk janë të kualifikuar.

Anëtarët e caktuar të Bordit u parapa që të jenë të përkohshëm, me mandat deri në 3 muaj, pra deri në konkursin e radhës.

E ky konkurs u hap në dhjetor të 2018-ës, nga i cili pritet që në mesin e muajit shkurt të bëhet përzgjedhja e anëtarëve të rinj të Bordit të Ndërmarrjes “Prishtina Parking”, në përzgjedhjen e të cilit është duke marr pjesë edhe një agjencion monitorues nga ambasada e Britanisë.

Por, Komisioni Komunal i Aksionarëve në Komunë e Prishtinës, dy prej  të cilët vijën nga LVV-ja dhe PSD-ja duket se kanë kundërshtime mes vete lidhur me këtë konkurs.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Eman Rrahmani i cili është njëri nga tre anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve në këtë ndërmarrje, ka akuzuar dy anëtarët tjerë për kapje të kësaj ndërmarrje.

Ai e ka quajtur të kundërligjshëm këtë konkurs, madje ka thënë se konkursi nuk është bërë në bashkëpunim me anëtarët e komisionit.

Madje, ai ka thënë se as nuk e di se kush e ka hapur këtë konkurs.

“Jo jemi në proces, tashmë aty është edhe ambasada britaneze me komisionin e saj. Por, me herët është emëruar një bord nga aksionaret e tjerë, që ka qenë kundërligjor. Por edhe ky konkurs është shpallur në mënyrë joligjore sepse nuk ka pasur mbledhje të aksionareve dhe nuk e di se as kush e ka shpallur apo qysh e kanë shpallur. Unë jam ankimues se jam aksionar në atë ndërmarrje, mirëpo jam duke e pritur vendimin nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, dmth opinionin sepse nuk jap vendim. Konkursin është bërë nga dy aksionarët e tjerë, por nuk ka pasur thirrje formale të mbledhjes. Për tu shpallur konkurs duhet që të thirret një mbledhje edhe të merret vendimi në atë mbledhje për shpallje të konkursi, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Procesi është duke vazhduar, besoj deri kah muaji shkurt duhet që të përfundoj, nëse nuk e hedh poshtë Ministria e zhvillimit komplet konkursin”, ka thënë Rrahmani.

E këtë deklaratë të Rrahmanit e ka quajtur të pavërtetë aksionari tjetër, që vije nga Partia Socialdemokrate, Drilon Pireva.

Pireva ka thënë për lajmi.net se vendimi për konkursin është marrë në bashkëpunim me të dy anëtarët e tjerë të Komisionit Komunal të Aksionarëve.

“Jemi në proces me ndihmën e britanezëve dhe javën e parë të muajit shkurt do të fillojmë më intervistat. Tash do të ftohen në intervistë kandidatët që e kanë plotësuar aspektin e dokumentacionit dhe pas intervistave do të bëhet përzgjedhja. Besoj që deri në mes të muajit të ardhshëm do të përfundohet puna e bordit të drejtorëve. Na jemi tre aksionar, të tret kemi marrë pjesë në mbledhje. Emani ka marrë pjesë gjatë vlerësimit të dokumentacionit edhe nuk kemi pas asnjë problem në raport me vlerësimin, secili jemi pajtuar me këta që kanë kaluar edhe me ata që nuk janë pranuar. Deri tani gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë Pireva.

Pireva ka akuzuar Rrahmanin se po jep deklarata politike për konsum ditorë.

“Mirëpo ndoshta për konsum ditorë, për politika ditore. Emani mendon që vendimi për shpallje të konkursit në bashkëpunim me anglez është i kundërligjshëm, nuk e kuptoj pse, arsyet ndoshta i tregon ai më mirë”, ka thënë Pireva

Edhe aksionari tjetër, Gëzim Mhemeti, i cili vije nga AKR-ja, ka thënë për lajmi.net se vendimi për këtë konkurs është legjitim, për të cilin ka thënë se është nënshkruar nga dy aksionarët.

“‘Prishtina Parking’ i ka tre aksionar, janë dy që janë zgjedhur nga Kuvendi dhe një që është përzgjedhur nga kryetari. Çdo vendim i cili ka shumicën, dmth dy prej aksionarëve është legjitim në këtë rast, vendimi është nënshkruar nga dy aksionarët dhe është legjitim. Është një incizim i cili kur është zgjedh bordi ka qenë aty, është marr me vendim të dy aksionarëve thotë se ky bord është i përkohshëm dhe ka mandat 3 muaj, për arsye se kemi marrëveshjen me agjencinë monitoruese nga Britania e madhe. Atyre ju ka skaduar mandati. Javën e kaluar është bërë një liste e shkurtër e personave që kanë aplikuar të cilët ditët në vijim do të ftohen, ata të cilët i kanë plotësuar kriteret dhe bazuar në njerëzit që janë përzgjedhur, me 12, 13, 14 shkurt do të bëhet përzgjedhja së bashku me agjencinë monitorues britanik. Për këtë çdo gjë është legjitime, Emani ka qenë aty dhe vendimi është i shkruar”, ka thënë Mehmeti.