Vulin po shkarkohet për shkak të hajnisë

E publikuar: 26/09/2017 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas gazetës serbe Kurir, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic së shpejti do të iniciojëshkarkimin e Aleksandar Vulin’in nga posti i ministrit të mbrojtjes pas shumë aferave që dolën në opinion

Ministrja e re e mbrojtjes së Serbisë do të jetë Marija Obradovic, funksionarja e lartë e SNS, partisë në pushtet, nga Kraleva dhe kryetarja e Këshillit të Kuvendit për siguri.

Vitin e fundit emri i Vulin’it shpesh u përmend nëpër afera, prej keqpërdorimit të fondeve për invalidë të luftës në ministrinë e kaluar deri te afera e blerjes së banesës, kur ka deklaruar se 23 herë ka shkuar te tezja në Kanada për t’i marrë të hollat e nevojshme për banesë.

Momentalisht, Vulin gjendet në Moskë ku në mënyrë të fshehtë po lobon te rusët që ta mbrojnë, sepse, gjoja, pas ndërrimit të tij qëndron administrata e SHBA. Nga ana tjetër, sipas Kuririt, zgjedhja e Obradovic’it do t’i zbusë pasojat e aferave të Vulin’it, dhe regjimit aktual do të mundësohet t’iu ofrojë popullit tregimin se “Serbia për herë të parë në histori do ta ketë një ministre të mbrojtjes femër”, që do të shërbejë para zgjedhjeve të ardhshme në Beograd.

Përndryshe, ditëve të kaluara është zbatuar”spastrimi i qetë” i kuadrove të Vulin’in në ministrinë për punë sociale të cilën tani e udhëheq Zoran Djordjevic. Janë ndërruar dhjetëra drejtorë të qendrave sociale dhe funksionarë të ministrisë të cilët janë në partinë e Vulin’it./gazetametro.net