Votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet komunale/ Deri tani janë aprovuar 653 aplikacione

E publikuar: 15/07/2021 14:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 10 korrik është duke vijuar.

Nga Komisioni Qendror Zgjedhor është bërë e ditur se kjo periudhë e aplikimit do të përfundojë më 18 gusht.

“Sipas të dhënave të fundit, deri më 14 korrik kemi pranuar 699 aplikacione për regjistrim. Pas shqyrtimit të tyre nga shërbimi votues janë aprovuar 653 aplikacione, ndërsa 46 të tjera nuk janë aprovuar deri më tani për shkak se aplikuesit nuk kanë plotësuar kriteret juridike për t’u përfshirë në listën votuese jashtë Kosovës”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai tutje theksoi se të gjithë personat që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës, do të mund të votojnë në një fazë të mëvonshme përmes postës, e cila nis më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet në adresë të KQZ-së duhet të arrijnë deri më 15 tetor.