Veseli: Kosova dhe Hungaria po thellojnë bashkëpunimin

E publikuar: 14/12/2016 12:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është takuar sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet politike dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Hungarisë

Përmes komunikatës për media, kryeparlamentari Veseli në këtë takim e ka falënderuar kryediplomatin e Hungarisë për mbështetjen që ky shtet po i jep Kosovës, si në fushën e angazhimeve diplomatike, po ashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, arsim, kulturë e sport.

Kryetari Veseli e potencoi domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe falënderoi Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i jep perspektivës evropiane të Kosovës.

Kryeparlamentari po ashtu ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjeve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Hungarisë, të nënshkruara midis dy qeverive, ndërsa theksoi se shumë shpejt Kosova duhet të avancojë edhe për marrëveshjen për ndërtimin e stadiumit të futbollit, ku përfaqësuesja kosovare e futbollit do të mund t’i luaj ndeshjet kualifikuese në Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë, Peter Szijjarto, theksoi gatishmërinë e Hungarisë për të vazhduar bashkëpunimin ekonomik, politik, diplomatik, kulturor e sportiv me Republikën e Kosovës dhe rikonfirmoi mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Në fund të takimit, kryediplomati hungarez i dhuroi kryetarit të Kuvendit të Kosovës fanellën sportive të legjendës së futbollit hungarez dhe evropian, Ferenc Pushkash. /GazetaExpress/