U prishen 1 000 vaksina pasi dikush e hoqi frigoriferin nga rryma për ta mbushur telefonin

E publikuar: 22/05/2021 13:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
U prishen 1 000 vaksina pasi dikush e hoqi frigoriferin nga rryma për ta mbushur telefonin

Një klinike në Kirgizstan iu desh të hidhte gati një mijë doza vaksinash të Sputnik V, pasi dikush e kishte shkyçur frigoriferin nga rryma për të mbushur telefonin.

Këto vaksina ishin pjesë e një kontingjenti prej 20 mijë dozash të dhuruara nga Rusia si ndihmë humanitare për shtetin e varfër të Azisë Qendrore. Fushata e vaksinimit në Kirgizstan kishte filluar në mars të këtij viti.

Autoritetet nga ana tjetër, kanë kritikuar këtë incident, i cili u bë i ditur këtë javë, por që në fakt kishte ndodhur gjatë muajit prill të këtij viti.

Ministri i Shëndetësisë së këtij vendi, Alimkadir Bechenaliyev, duke folur për gazetarët, është shprehur se njëri nga punonjësit mund të jetë përgjegjës për këtë gabim, duke thënë ndër tjerash se nëse njëri nga ta del të jetë fajtor, klinika duhet të përgjigjet financiarisht ndaj dëmit në fjalë, shkruan Barron’s.

Përndryshe, Kirgizstani është përfshirë nga vala e tretë e pandemisë me më shumë se 100 mijë raste të infektuarish dhe 1735 të vdekur nga gjashtë milionë njerëz sa ka popullsi ky vend.

Më shumë se 50 mijë njerëz kanë marrë të paktën një dozë vaksine deri më tani.