Tragjedi në Gjermani: 19-vjeçari vrau tre anëtarë të familjes – prindërit dhe vëllaun

E publikuar: 27/03/2024 22:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një 19-vjeçar vrau me thikë vëllain dhe prindërit e tij dhe plagosi rëndë motrën e tij në Hohentengen, në kufirin gjermano-zviceran, njoftoi të mërkurën zyra e prokurorit publik në shtetin federal të Baden-Wuerttemberg.

19-vjeçari ka vrarë me thikë prindërit e tij 58 dhe 61-vjeç dhe më pas vëllain 34-vjeçar. Motra, mosha e së cilës nuk bëhet e ditur, u plagos dhe u transportua me helikopter në një spital aty pranë. Mësohet se ajo ka marrë plagë të rënda me thikë, por jeta e saj nuk është në rrezik.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, njoftoi të mërkurën policia dhe prokuroria e shtetit. I dyshuari është arrestuar. Sipas policisë në shtëpinë ku ndodhi masakra jetonte e gjithë familja. Vrasësi ka nënshtetësi gjermane dhe italiane. Motivi i sulmit është ende i paqartë.

Sipas informacioneve nga Prokuroria e Shtetit, 19-vjeçari akuzohet për vrasje të trefishtë pa paramendim dhe një vrasje të mbetur në tentativë dhe duhet të dalë para gjyqtarit gjatë ditës, i cili duhet të vendosë masën e paraburgimit.

Në të njëjtën zonë, dy muaj më parë, një djalë 32-vjeçar vrau prindërit dhe përfundimisht veten.