Thaçi fjalë të ashpra Mustafës, mesazh për rrëzim të qeverisë

E publikuar: 19/04/2017 18:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, është treguar i drejtpërdrejt dhe i ashpër përmes një reagimi që i ka bërë qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa. Ai i ka kërkuar atij sa më parë të procedojë Demarkacionin në Kuvend, për të marrë përgjegjësitë që i takojnë sa i përket mosliberalizimit të vizave.

Thaçi përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se në emër të qytetarëve i kërkon qeverisë së drejtuar nga Mustafa, dhe parlamentit që të koordinohen e t’i përmbushin kriteret për marrjen e liberalizimit të vizave, në të kundërtën siç ish-kreu i PDK’së u shpreh, “qytetarët kanë të drejtë të ndjehen të zhgënjyer”.

“Kosova, si shteti më proevropian në Ballkanin Perëndimor, vazhdon të mbetet shteti më i izoluar në Evropë”, ka shkruar ai, përcjell gazetametro.net

“Përderisa shtetet fqinjë, shumë vite më parë kanë thyer izolimin dhe qytetarët e tyre lëvizin pa viza në zonën Schengen, kanë mbetur vetëm kosovarët që të dëshpëruar ende presin t’i japin fund izolimit”, vazhdoi ai.

Ai ka thënë se nuk guxojnë të lejojnë që kjo situatë turpëruese të vazhdojë në pafundësi.

“Prandaj, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ftoj institucionet tona përgjegjëse që pa humbur kohë të ndërmarrin veprimet dhe vendimet e domosdoshme për të përmbushur kriterin e fundit të mbetur për liberalizimin e vizave”, ka shkruar ai duke drejtuar kështu një kërkesë drejt qeverisë, përcjell gazetametro.net

Në fund ai ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës të koordinohen dhe me prioritet ta përmbushin këtë kriter për liberalizimin e vizave në ditët në vijim, në të kundërtën, sipas tij, qytetarët kanë plotësisht të drejtë të jenë të zhgënjyer dhe dëshpëruar.

Reagimi i Thaçit vjen, pas pablikimit të një teksti nga Gazeta Metro, se qeveria Mustafa, nuk e ka në plan që ta procedojë Demarkacionin në Kuvend as gjatë këtij muaji.

Thaçi si president i vendit, mundet edhe ta shpërndajë Parlamentin, pas votimit të mocionit të votëbesimit për qeverinë në Kuvend. Një mocion i tillë tanimë është iniciuar nga opozita, e që duket të ketë mbështetjen edhe të një numri të deputetëve të pozitës, kryesisht nga PDK. /gazetametro.net