Telegrafi zgjedh më të mirët e vitit 2018 në futbollin e Kosovës

E publikuar: 31/12/2018 14:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka kaluar një vit mjaftë i mirë në futbollin kosovar.

Drita ishte skuadra që e fitoi titullin e kampionit vetëm në xhiron e fundit. Në anën tjetër Pristhina triumfoi në Kupën e Kosovës për ta siguruar daljen në Evropë.

E në finalen e Superkupës, dy gjigantët e futbollit kosovar u përballen mes vete ku Drita triumfoi 1-2 me rikthim.

Drita dhe Prishtina patën paraqitje dinjitoze edhe në garat e Evropës, ku na lanë me shpresë se në vitet e ardhshme do të bëjnë edhe më mirë.

Telegrafi gjatë viti 2018 i ka dhënë më shumë hapësirë futbollit dhe sportit vendor në përgjithësi. Kësisoj stafi i Telegrafi Sport ka zgjedhur edhe pesë më të mirët në futbollin e Kosovës.

Visar Bekaj – Portier i vitit

Ndoshta ky ishte viti i tij i fundit që është pjesë e Prishtinë pasi Visar Bekaj shihet me të ardhme të ndritur dhe mund të largohet në drejtim të ndonjë skuadre evropiane.

Bekaj ishte i jashtëzakonshëm këtë vit duke mbrojtur portën e Prishtinës dhe duke i siguruar Kupën e Kosovës. Portieri i talentuar prishtinas në edicionin e ri ka pranuar vetëm katër gola.

Armend Dallku – Mbrojtësi i vitit

Armendi është si vera, sa më e vjetër aq më e mirë. Mbrojtësi vushtrrias ka qenë i pakalueshëm në mbrojtje te Prishtina ku ka udhëhequr skuadrën edhe si kapiten.

Me 35 vite mbi supe, Dallku po tregon se ende është në formë të mirë dhe mund t’i japë edhe shumë fitore Prishtinës falë paraqitjeve të shkëlqyera në mbrojtje.

Me Prishtinën gjatë vitit 2018 fitoi Kupën e Kosovës, ndërsa edhe doli kampion vjeshtor.

Endrit Krasniqi – Mesfushor i vitit

Suksesi i Dritës në vitin 2018 është meritë edhe e mesfushorit Endrit Krasniqi. I ardhur në klubin gjilanas nga Prishtina, Endriti ka qenë fantastik në mesfushë.

Aksione të ndërtuara, gola spektakolar e asistime fantastike e karakterizuan Endritin në më të mirin për pozitën e tij.

Mesfushori i talentuar ka bartur barrën kryesore të gjilanasve në mesfushë dhe është ndër më meritorët për triumfin e Dritës në kampionat dhe në Superkupë.

Kastriot Rexha – Sulmues i vitit

Pa golat e Kastriot Rexhës ndoshta Drita nuk do ta fitonte as kampionatin. Sulmuesi shtatlartë ka qenë fantastik për Dritën edicionin e kaluar duke shënuar 14 gola në 33 takime.

Në ditën e ndarjes së çmimeve lojtari ishte jashtë Kosovës

Rexha ishte ndër golashënuesit kryesor edicionin e kaluar dhe përveç golave ai shpesh herë kthehej edhe në mbrojtje për t’i ndihmuar bashkëlojtarët.

Kastriot Rexha

Këtë edicion, Kastrioti ka kaluar nga Drita te Feronikeli por ka mbetur ai i vjetri, ai sulmuesi që nuk falë në zonë.

Në gjysmë stinor Rexha ka shënuar gjashtë gola dhe ndodhet në garë për golashënuesin më të mirë të stinorit.

Xhevdet Shabani – Futbollisti i vitit në Kosovë

Në Gjilan e duan të gjithë, madje i thonë ‘Messi i Dritës’. Fjala është për Xhevdet Shabanin që ka shkëlqyer me fanellën e Dritës.

Lojtari nuk ishte në Kosovë në këtë fundvit, por brenda javës edhe ky do e merr çmimin nga redaksia e Telegrafit

Rrapa siç e njohin të gjithë ka qenë lojtari kryesor i Dritës falë 10 golave të shënuar e po aq asistimeve në kampionat.

Xhevdet Shabani

Shabani ishte i pandalshëm edhe në garat evropiane, ku arriti të shënonte gola ndaj Santa Colomas, Lincoln Reds dhe Dudelange.

Edhe këtë edicion Shabani ka bartur barrën kryesore të Dritës dhe nëse gjilanasit ëndërrojnë triumfin në Kupë, atëherë këtë e bëjnë se kanë në radhët e veta futbollistin më të mirë në Kosovë. /Telegrafi/