Tahiri: Sot do të takohemi me Lajçakun dhe Palmer, qëndrimet tona janë të ditura

E publikuar: 31/05/2021 13:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri është deklarur pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.

Tahiri ka deklaruar se sot do të kenë takim me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretarin e SHBA-ve, Matthew Palmer.

“Nuk i dimë temat, veç e dimë se pak a shumë temë do të jetë dialogu. Do të kemi takim bilateral me Lajçak dhe Palmer. Nëse ka diçka që duhet mu raportua si subjekt e kemi thënë qartë kemi kërkuar nga Kurti që të ketë një proces të rregullt të informimit në Kuvend dhe raportim për çka do që mund të jetë marrëveshje e fshehtë ose e hapur që mund ta dëmtonte vendin”, tha Tahiri.

Ai tutje shtoi se AAK e konsideron të rëndësishme përmbylljen e dialogut me njohje reciproke.
Gjithashtu Besnik Tahiri bëri të ditur se gjatë kësaj jave në Kuvendin e Kosovës pritet të zhvillohen dy seanca.

Tahiri theksoi se seancat do të mbahen të enjten dhe të premten, transmeton lajmi.net.

“U vendos që të enjten të ketë një seancë, të premten në ora 10:00 do të ketë interpelancë që e ka ftuar AAK-ja për faljen e gjobave si formë ndihmëse ndaj bizneseve. Në këtë takim u arsyetua kërkesa jonë për interpelancë”, tha Tahiri.

Poashtu ai bëri të ditur se kërkesat e AAK-së janë që të falen gjobat për sektorin privat të cilët u gjobitën gjatë pandemisë.