Tahiri do që dialogu me Serbinë të vazhdojë në formatin e bisedimeve të Vjenës

E publikuar: 02/05/2017 19:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, mendon se vazhdimi i dialogut me Serbinë duhet të zhvillohet në nivel të lartë dhe të hyjë në fazën përmbyllëse.
“Mendoj se duhet të jetë niveli më i lartë i vendit dhe më gjithëpërfshirës, diçka e ngjashme siç ka qenë në bisedimet e Vjenës”, është shprehur Tahiri në një intervistë për Radio Kosovën.

Tahiri thotë se “me faktin se është liruar zoti Haradinaj ku është shënuar edhe një fitore ndaj Serbisë, tashmë është hequr vendimi për pezullimin e dialogut me Serbinë që ishte bërë me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe procesi ka filluar në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura që janë në pritje të zbatimit. Ndërsa, për sa i përket vazhdimit të dialogut, mendoj se tani duhet të flitet për zhvillim të dialogut në dy nivele: Niveli i parë është që të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve që kanë mbetur pa u zbatuar, kurse ndërkohë të përgatitet një proces politik i nivelit të lartë me të cilin ne duhet hyrë në fazën e tretë, që do të jetë dhe faza përmbyllëse e dialogut me Serbinë”.

Ministrja Tahiri thotë se në këtë fazë përmbyllëse, synohet të arrihet njohja reciproke mes dy shteteve.

“Për sa i përket përgatitjeve për këtë nivel, në instancat më të larta të institucioneve shtetërore, duhet të zhvillohen konsultat për formatin e dialogut dhe të delegacionit përfaqësues, e që unë mendoj se duhet të jetë niveli më i lartë i vendit dhe më gjithëpërfshirës, pra një delegacion gjithëpërfshirës, diçka e ngjashme siç ka qenë në bisedimet e Vjenës…”, tha ajo.

Lidhur me mundësinë e vazhdimit të dialogut në formatin më të lartë mes dy Presidentëve, Tahiri thotë se për këtë çështje brenda institucioneve tona duhet të merret një vendim se çfarë do të jetë përfaqësimi i Republikës së Kosovës në bisedimet e fazës përmbyllëse të dialogut me Serbinë dhe më pas ne do t’ia komunikojmë Brukselit edhe formatin, por edhe përmbajtjen e bisedimeve.

“Në fakt, siç e dini ka dy vjet që në i kemi paraqitur Bashkimit Evropian një dokument me ato që ne i konsiderojmë tema përmbyllëse në dialogun me Serbinë dhe ato tema fillojnë nga ajo e njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve, pastaj është demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pra midis dy shteteve, pastaj është çështja e kompensimit për dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës si dhe çështja e ndarjes së pasurisë sipas parimit të suksesionit në kontestin e shpërbërjes së ish – Jugosllavisë”.

Lidhur me atë se kur mund të zhvillohet takimi i radhë,s ministrja Tahiri thotë se “për takimin e radhës ende nuk kemi njoftime nga Bashkimi Evropian, mirëpo në Kosovë ishte javën e kaluar menjëherë pas lirimit të zotit Haradinaj, drejtoresha e BE për Ballkanin, Angelina Eichhorst, e cila qëndroi këtu për konsulta lidhur me përgatitjen e takimeve të ardhshme. Sidoqoftë, për momentin nuk kemi një datë konkrete”.