Szunyog për Ditën e Evropës: Kjo ditë bartë solidaritet dhe harmoni duke simbolizuar misionin e BE-së për paqe

E publikuar: 09/05/2024 14:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të enjten u bë hapja e organizimit “Përjeto Evropën 2024” me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, kjo ditë u shënua me aktivitete të ndryshme, raporton Ekonomia Online.

Në një fjalë rasti, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se kjo ditë është e rëndësishme dhe përcjell mesazh uniteti.

“Kjo ditë ka rëndësi të madhe për kontinentin evropian, Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të saj ajo bartë një solidaritet dhe harmoni duke simbolizuar misionin e BE-së për paqe dhe porsperitet në kontinentin tonë”, tha ambasadori.

Szunyog theksoi se tema e sotme është një vazhdim i fushatës së tyre Eksploroni Evropën dhe se me liberalizmin e vizave ky është një moment i ndritur.

“Është e rëndësishme edhe për mua sepse jam në vitin e fundit te mandatit. Tema e sotme, “-Përjeto Evropën”, është një vazhdim i fushatës sonë Eksploroni Evropën me liberalizmin e vizave ky është një moment i ndritur”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se manifestimi i sotshëm për ditën e Evropës, tregon se Kosova feston frymën evropiane.

“Ky manifestim për ditën e Evropës synon me festu frymën evropiane këtu në Prishtinë në zemrën e Kosovës. Kjo frymë e cila lulëzon me unitet për një të ardhme më të ndritshme është ajo që na lidh me BE-në dhe bashkimin sa më parë me të”, tha Rama.

Ai shtoi se Kosova do ec përpara me vendosmëri drejt Bashkimit Evropiane.

“Me vendosmëri të palëkundshme do vazhdojmë me ec para me BE-në që i hap rrugë jo vetëm Kosovës por edhe forcon paqen e BE. Le t’i gëzojmë dhe festojmë rrugëtimin tonë deri këtu”, tha ai.