Ministrja e brendshme e Britanisë dha dorëheqjen, në mesin e një skandali lidhur me trajtimin e ashpër të imigrantëve të moshuar që ishin sjellë në vend nga Karaibet, shtatë dekada më parë.
Amber Rudd i tha ligjvënësve javën e kaluar se qeveria nuk kishte përcaktuar objektiva për deportimin e njerëzve që konsideroheshin si imigrantë të paligjshëm. Por dokumentacioni tregon të kundërtën e dëshmisë së saj.
Zonja Rudd thonte në letrën e dorëheqjes së saj për Kryeministren Theresa May, se ajo “e kishte gënjyer pa dashje” Parlamentin lidhur me objektivat e deportimit.
Sot u emërua sekretari i ri i brendshëm i Britanisë; ai është Sajid Javid, bir i imigrantëve pakistanezë.
Mediat kanë zbuluar se shumë nga të ashtuquajturit imigrantë që patën ardhur me anijen Empire Windrush, kanë humbur vendet e punës, strehimin dhe shërbimin shëndetësor dhe i kanë kërcënuar për t’u deportuar, ngaqë nuk kishin paraqitur dokumente të cilat provonin të drejtën e tyre për të banuar në Britani, që u ishte dhënë me një ligj të vitit 1971.
Anija Empire Windrush pati sjellë në Britani në vitin 1948, imigrantë nga Karaibet, për të ndihmuar në rindërtimin e vendit pas Luftës së Dytë Botërore. Trajtimi i ashpër për gjeneratën e Windrush duket se buron nga një politikë e paraqitur nga Teresa May në periudhën kur ajo ishte Ministre e Brendshme, nga viti 2010 deri në vitin 2016, që kërkonte krijimin e një mjedisi jo miqësor për imigrantët e paligjshëm.