Si vendoset limiti për çmimin e naftës dhe sa do të gjobiten pompat që shesin më shtrenjtë?

E publikuar: 27/06/2022 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Kryeinspektorja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Lebibe Haliti, thotë se pompat e derivateve kanë filluar ta zbatojnë vendimin për çmimet e derivateve të vendosura nga ministria. Nga të dhënat që i posedon nga inspektorët e terrenit, Haliti tha se ky vendim po respektohet. Ndërsa, për bizneset që nuk e respektojnë vendimin e MINT për çmimet e derivateve parashihen dënime me gjobë nga 2 mijë deri në 6 mijë euro.

Në një prononcim për Gazetën Express, kryeinspektorja e MINT Lebibe Haliti, tha se çmimet mund të ndryshojnë çdo ditë, varësisht nga çmimi i furnizimit.

“Çmimet ashtu siç lëvizin gjatë furnizimit edhe ne të dhënat e Doganës i marrim çdo ditë në orën 18:00 në mbrëmje. Ministria i bën kalkulimet dhe na 10 milionë litrat e fundit i kalkulojmë e nxjerrim çmimin mesatar e bëjmë +12 centë. Sot e kemi bë këtë kalkulim dhe ka dal çmimi 1.85, tash nesër është një kalkulim i ri dhe ajo varet nga çmimi i mesatares që nxjerrët prej furnizimit. Çmimet sot që janë publiku vlejnë për 24 orët e ardhshme, deri nesër në orën 10:00”, sqaroi Haliti për Gazetën Express.

Ajo tha se deri më tani nuk kanë hasur në ndonjë biznes që po refuzohet çmimorja e re e derivateve.

“Inspektorati i tregut sot ka fillu mbikëqyrjen e zbatimit të udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve dhe sot janë publiku çmimet e para nga Ministria e Tregtisë, njëherë për njëherë gjithçka është në rregull sa i përket tregut. Bizneset disa fillu menjëherë pas publikimit i kanë rregullu çmimet në përputhje me publikimin. Disa të tjera që s’kanë qenë të informuara janë urdhëruar nga inspektorati i tregut menjëherë mi rregullu. Kjo është duke u respektu pa kundërshtim dhe pa ndonjë problem të theksuar. Deri më tani, nga të dhënat nga tereni, se inspektorët janë në teren nga mëngjesi, nuk kemi ndonjë rast që po refuzohet vendosja e çmimeve. Natyrisht që për ata është kufizim dhe i papranueshëm dhe e kanë deklaru që një kufizim që përcakton çmim tavan e kanë kundërshtu, por është obligim ligjor që duhet me u zbatu”, u shpreh ajo.

Ndërsa, kryeinspektorja tregon se bizneset që nuk e respektojnë çmimoren mund të dënohen me gjobë nga 2 mijë deri në 6 mijë euro.

“Çmimi për mosrepsketim të kufizimit të çmimit të naftës është 2 mijë deri në 6 mijë euro”, tha kryeinspektorja Haliti për Gazetën Express.

Ky vendim tha se do të zbatohet në tërë Kosovën, pavarësisht numrit të vogël të inspektorëve.

“E kemi një numër të vogël të inspektorëve, e kemi dërgu edhe te inspektorët nëpër komuna që janë inspektorë të tregut, në bashkëpunim me ta do ta zbatojmë në të gjithë Kosovën. Sot e kemi siguru edhe listën që ATK-ja ka me na ndihmu edhe në retroaktiv me pa se kush e ka shkelë”, tha ajo.

Qytetarët që shohin të ndonjë bzines që nuk e respekton çmimoren mund të dërgojë ankesë te departamenti për mbrojtjen e konsumatorit, përfundoi kryeinspektorja e MINT Lebibe Haliti.

Ministria njoftoi sot se “Çmimi maksimal i lejuar i produktit Dizel është: 1.85 eurocentë për litër; Çmimi maksimal i lejuar i produktit Benzinë është: 1.74 eurocentë për litër; Çmimi maksimal i lejuar i produktit Gas është: 0.78 eurocentë për litër.Çmimet e lartëcekura vlejnë për datën 27/06/2022 prej orës 10:00 dhe janë valide 24 orë nga data dhe ora e publikimit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Prej javësh Kosova po përballet me çmimet më të larta ndonjëherë të naftës. /Express

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!