Prokuroria e Shtetit dhe ATK nënshkruajnë memorandum për luftimin e korrupsionit dhe krimit financiar

E publikuar: 22/04/2026 16:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Shtetit dhe ATK nënshkruajnë memorandum për luftimin e korrupsionit dhe krimit financiar
Prokuroria e Shtetit dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parasë.

Sipas komunikatës, memorandumi parasheh krijimin e mekanizmave të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të komunikimit ndërmjet institucioneve, duke mundësuar shkëmbim të shpejtë dhe të sigurt të të dhënave relevante për hetime.

“Përmes këtij bashkëpunimi, ATK do të ofrojë informacione dhe analiza të detajuara për Prokurorinë e Shtetit, të cilat do të shërbejnë për nisjen dhe zhvillimin e hetimeve penale, veçanërisht në rastet kur evidentohen shpërputhje ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve”, thuhet në komunikatë.

Memorandumi përfshin gjithashtu përdorimin e analizës së riskut dhe teknologjisë moderne për identifikimin e parregullsive, si dhe raportimin e rregullt të rasteve të dyshimta, duke synuar kalimin nga një qasje reaktive në një qasje proaktive në luftimin e veprave penale.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke e cilësuar si vazhdimësi të një angazhimi të ndërtuar ndër vite.

“Ky memorandum nuk është një fillim i ri, por një vazhdim i një bashkëpunimi të ndërtuar me vite. Sot po e thellojmë këtë bashkëpunim duke e ngritur në një nivel më të avancuar, sepse bashkëpunimi ndërinstitucional nuk është dëshirë, por obligim shtetëror dhe profesional. Ky memorandum krijon mekanizma konkrete që na mundësojnë të kalojmë nga një qasje reaktive në një qasje proaktive, të bazuar në analizë risku dhe përdorim të teknologjisë moderne”, tha ai.

Hyseni shtoi se të dhënat që disponon ATK-ja përbëjnë një burim të rëndësishëm për mbështetjen e hetimeve dhe identifikimin e parregullsive, kur përdoren në mënyrë të koordinuar dhe në përputhje me ligjin.

Ndërkaq, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP në Kosovë, Nuno Queiros, vlerësoi se ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Nënshkrimi i këtij memorandumi shënon zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për ndarjen e të dhënave ndërmjet Prokurorisë dhe ATK-së, si një mjet efektiv kundër korrupsionit dhe krimit financiar”, tha ai.

Ai shtoi se ky bashkëpunim pritet të ndikojë në rikthimin e fondeve të paligjshme dhe në rritjen e të ardhurave për mirëqenie dhe zhvillim.