Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos ka shprehur keqardhjen për muzikën e këngës nacionaliste serbe e cila u lëshua në koncertin e organizuar në prag të “Forumit të zgjerimit” në Bruksel. Ajo ua ka lënë fajin muzikantëve për përzgjedhjen e melodisë.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, ka thënë Kos, duke shtuar se janë të vetëdijshëm për sakrificat e njerëzve në atë pjesë në të kaluarën.
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, e kritikoi interpretimin e melodisë, duke e lidhur përmbajtjen e këngës me periudhën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kufizonte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.
Ai kërkoi shpjegime nga Komisioni Evropian si për përzgjedhjen e këngës, ashtu edhe për mungesën e një ftese për përfaqësuesit institucionalë të Kosovës në Forum.































