Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka pretenduar se qytetarët e Kosovës paguajnë deri në 22.4 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike sesa serbët në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për atë që e ka cilësuar si dallim në çmimin e energjisë elektrike.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! me strukturën e vet instaluese në energji ka vendos që deri në 22.4% me pagu më shtrenjtë kosovarët rrymën sesa serbët në veriun e Kosovës”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka reaguar edhe ndaj shpërndarjes së videove ku, sipas saj, paraqitet dhe kritikohet publikisht.
“Mund të vazhdoni me shpërnda video ku paraqitem dhe linçohem”, ka shtuar deputetja e LDK-së.
Në fund, Ymeri ka thënë se pasojat e këtij dallimi, sipas saj do të ndihen nga qytetarët përmes faturave të energjisë elektrike.
“E vërteta, pa dyshim se i vjen secilit në terr, në ftohtë e në fatura”, ka përfunduar deputetja nga Ferizaj.
































