Shpërfaqja e imponuar e realitetit

E publikuar: 27/01/2021 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruan: Emrush T.Shkodra

Grupe elitare që po shpërfaqin para audiencave televizive mendimet e veta, ka bërë që një pjesë tashmë e mirë e qytetarëve jo vetëm të ndjehen të fyer, por edhe mendojnë që kjo praktikë do të duhej ndalur. Këta (elita) mendojnë që po e përfaqësojnë një lidhje avangarde që sipas tyre, vetëm ata dinë gjithçka dhe për çdo temë.
Fakti është se bazuar në profesionalizëm dhe përgatitjen e tyre profesionale, plotësisht janë në disproporcion me atë që përfaqësojnë nëpër panele të ndryshme të TV-ve duke mbuluar kohën më të mirë për shikueshmëri në mbrëmje.

Absolutisht janë jashtë realitetit dhe në kundërshti të plotë me aspiratat e shumicës së qytetarëve të vendit.
Tashmë qytetarët kanë ndarë mendjen se si do të sillen dhe kënd e dëshirojnë si përfaqësues të tyre në vitet në vazhdim.
Qytetarët vetëm edhe një gjë e kanë para vetes së tyre, një shpresë shkëndije që ju duket si një dritë në fund të tunelit. Ata besojnë se ka një fije shprese për të ndryshuar këtu, dhe si rrjedhojë ata presin me padurim ditën kur do të kenë mundësinë të flasin, pra ditën e votimeve.

Madhërimi i personave

Qytetarët nuk po krijojnë kulte duke madhëruar persona të përveçëm, por një gjë e kanë para syve të tyre, ata që për 20 vite demoluan vendin, shkatërruan pasuritë e qytetarëve, keqqeverisen, u bëmë vendi më i izoluar në Evropë për shkakun e qeverisjeve të njëpasnjëshme që nga pas lufta. Nuk dëshirojnë më që ata të jenë përfaqësuesit e tyre, thjeshtë dëshirojnë ndryshime përmes njerëzve tjerë.

Nuk mund tu premtosh atyre ndryshime, duke përdorur infrastrukturën e njëjtë që është krijuar për të shkapërderdhur këtë vend, pra ndryshimet do të duhej të vinin nga gjeneratat e reja, dhe një strukturë që nuk ishte pjesë e klienteles partiake të qeverisur deri më tani.
Por, për çudi shumë televizione dhe një pjesë e mirë e mediave janë rreshtuar kundër këtij vullneti.
Mjafton të shohim në mbrëmje debate në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, dhe nuk duhet shumë njohuri për të kuptuar nga afër se cilën vij këta e përfaqësojnë.
Shumë televizione, edhe hapur janë rreshtuar pro partive të caktuara, duke sjellë në panelet debatuese persona që shihen më dritë të diellit që janë të një anshëm dhe aspak të pavarur për të cilën thirrën aty.
Shumica e tyre përgatitjen profesionale nuk i kanë të lëmive kur flasin për zhvillimin e vendit, pra më shumë dominon filozofia dhe profecia duke luajtur rolin e parashikuesve, se që në fakt ta zamë flasin për zhvillimin ekonomik, zbatimin e drejtësisë, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, ndaljen e korrupsionit, zbatimin e ligjit si tërësi, e jo sikur deri më tani që behët selektimi në forma kujt si i përgjigjet.

Këtu nuk përfaqësojnë profesionistin ata, dhe për rrjedhojë nuk munden të flasin me kompetencë intelektuale për një çështje të caktuar. Pra ata nuk do të duhej të mbrojnë një elitë oligarkë që tashmë ka shkatërruar gjithçka në këtë vend, e duke kundërshtuar një pjesë të tjetër që po vjen si zenit ku shihet si shpresa e fundit për shpëtim para së të vendosin për ikje dhe largim nga vendi.

Përshtypje e gabuar dhe krijimi i hapësirës për profesionist

Në Kosovë është krijuar përshtypje se nuk ka as profesionist, nuk ka as njerëz me diapazon më të gjerë, njerëz që dëshirojnë zhvillimin e këtij vendi, pra një farë forme po relativizohet balanci duke u munduar të paraqesin një përgjegjesim gjeneral të stilit “të gjithë janë të njëjtë”, dhe se ndryshimet nuk mund të behën sado që mund të ketë premtime.

Praktika ka treguar që një pjesë e profesionisteve një kohë të gjatë nuk ishte fare e inkuadruar në proceset politike, ku për rrjedhojë do të mund të jepnin kontributin e tyre në ndaljen e rënies së institucioneve të vendit, dhe duke përdorur formulat në ngritjen, përforcimin dhe zhvillimin e vendit.
Por, hapësira për këta njerëz është plotësisht e kufizuar, dhe e vetmja mundësi ku do të mund profesionistët a partiak të jepnin kontributin e tyre është te opozita që sot po tregohet më e denjë në premtimin e tyre të të bërit shtet në mendimin e mirëfilltë.

Jo për faktin se këta dëshirojnë manifestim karrierist, po për përgjegjësinë që dëshirojnë të marrin mbi supet e tyre për shpëtimin e pjesëve të shtetit aty ku mundet kontributi i tyre të jetë imanent.

Rreshtimi kundër çdo gjëje që është shpresë për qytetarët nuk mendoj që është një veprim i mençur, ku për rrjedhojë të gjitha sondazhet të bëra edhe nga vet partitë dhe mediat e ish pushtetit, nxjerrin në pah që humbja e tyre është katastrofale dhe fitorja në anën tjetër do të jetë referendum.

Prandaj paraqitja e realitetit besoj shumë se do të ishte një barometër më i theksuar që do të ofronte këta analistë me qytetarët, duke mbajtur gjallë shpresën dhe vrullin e këtyre ditëve të qytetarëve.

Madhërimi i liderëve nuk vjen si pasojë e mirëqeverisjeve që ish sistemet e kaluara i kanë bërë, por rritja dhe rënia matet me punën e tyre që e kanë bërë përpara këtyre që po vijnë në pushtet.

Degradimet totale të debatave nëpër studiot televizive tashmë janë bërë kërcenim serioz edhe për demokracinë, sinqeritetin dhe karakterin e këtyre qytetarëve.

Skajshmërisht dalin si përfaqësues partish të fshehur nën petkun e analistit të pavarur kundër pjesës dërmuese të qytetarëve që janë rreshtuar në anën ndëshkuese ndaj sistemeve të kaluara. Ata vazhdojnë të flasin në mbështetje të pushtet mbajtësve sa që të krijohet përshtypje që më të vërtetë ata fare nuk kanë qeverisë me këtë vend, dhe pakënaqësia qytetare nuk ka bazë sepse ne këtu kemi jetë të mirë, bile nëse bazohemi në premtimet e këtyre njerëzve për 20 vite me radhë, është çudi si nuk kanë filluar Evropianët të migrojnë në Kosovë, por ndodh e kundërta e kësaj duke shkuar shqiptarët e duke fjetur nën urat e metropoleve Evropiane.
Humbja dhe suksesi pjesë e lojës

Shqiptarët pa dallim do të duhej të mësoheshin dhe me humbjen dhe me suksesin, askush nuk mundur të jetë i përjetshëm e as gjithëdijshëm.
Qytetarët e këtij vendi ju kanë dhënë me vite të tera mundësin që ata të tregohen të suksesshëm dhe të shpërblejnë ata me të mirat shtetërore duke ndarë bashkë ndjesinë e institucioneve më të gjithë në mënyrë të barabartë dhe pa dallime e anime politike.

Por, jo!
Ata vazhdojnë të dalin nëpër rrugë e lokale, fusha e male dorë për dore me njerëzit e duke ju rrahur shpinën deri sa të kenë nevojë për ta, thuajse asgjë s’ka ndodhur.
Tash qytetarët kanë vendosur që ketë gjë mos ta lejojnë me tej. Dhe ata (partitë sunduese) janë kah e dinë tashmë këtë gjë, që qeverisja e tyre e mangët ka bërë që rreshtimi qytetar po kalon në taborin tjetër politik!

Por ata në vend që të stepen dhe të ndjehen shpirtërisht të lënduar që një pjese të mirë të qytetarëve ju kanë bërë jetën ferr, ata tashmë kanë aktivizuar pjesën e analistëve kinse të pavarur, duke shfrytëzuar investimet e tyre mediale për të gjeneralizuar gjërat si tërësi, duke u munduar që qytetarëve tu hidhet hi syve!

Shfrytëzimi i mundësive të fundit

Çfarë koordinimi i TV-ve, i paparë deri më sot. Të gjitha studiot televizive dhe tërë panelistët që janë nëpër ato debate janë plotësisht të anshëm, dhe kundërshtarë të rreptë të opozitës, duke u rreshtuar nga ata që tashmë e kanë mbajtur ketë vend peng për interesat e tyre individuale, klanore, partiake dhe biznesore.

Do të ishte mirë që të mos krijohen armiq, por të mendohet që do të ketë jetë edhe pasi do të shkojnë ata, sepse mundësia për një mbrojtje të asaj se çfarë i kanë shkaktuar ata këtij vendi do të jetë minimale, shteti do të kujdeset për këtë pasi të çlirohet normalisht.

Gjithë është një farë qetësie para stuhisë!

Qytetarët kanë filluar të përgatiten për një jetë më të mirë dhe më të dinjitetëshme.
Ata nuk do të fyejnë më, nuk do të nervozohen e nuk do të marrin veprime të pamenduara. Tek ata tashmë mbretëron një heshtje e madhe, të gjithë heshtin dhe do të presin 14 shkurtin, ditën kur do të mund të grushtojnë tavolinën.
Në krah të qytetarëve të Kosovës tashmë është edhe diaspora e cila për vite me radhë që nga 1970-ta e deri në ditët e sotshme, ishin dhe janë promotor i ndryshimeve në ketë vend.

Kosova tanimë është futur në fazën e besimit dhe mendimit ndryshe nga e kaluara. Ka një disponim gjithë popullor dhe një mobilizim që ndryshimet në këtë vend do të ndodhin, do të ishte mirë që edhe analistet të jenë pjesë e këtij ndryshimi.
Ata do të jenë dëshmitarë dhe besoj shumë që do të bëhen pjesë e ndryshimeve për të mirë që do të ndodhin në këtë vend.

E mira do të jetë e përbashkët!

Prandaj mendoj që kohës për të nderuar vetveten shumë shpejt do ti vjen fundi, dhe ne do të jemi këtu megjithëqë njeriu tërë jetën ëndërron, por megjithatë jeta nuk është ëndërr!

Për: infosot.com