Shitet në mënyrë të dyshimtë piriti i Trepçës, Bordi e deponon dosjen në Krimet Ekonomike

E publikuar: 15/09/2021 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një proces i paqartë i shitjes së piritit, pirotinës dhe jarositit, po zhvillohej prej një kohe. Ai po shitej si mbetje, pa vlerësime të duhura për përmbajtje.

Për këtë, Bordi i Kombinatit “Trepça” e ka deponuar dosjen e këtij procesi në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës.

Këtë gjë e kanë bërë të ditur vetë Kombinati, të cilët përmes një komunikate, kanë konfirmuar se dosja e procesit të shitjes është dërguar në Polici.

“Me datën 14.09.2021 me kërkesë të Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës, “Trepça” Sh.A ka deponuar dosjen pranë Drejtorisë së Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë për rastin e shitjes së mbetjeve industriale të “Trepça” Sh.A, përkatësisht procesin e shitjes së Piritit, Pirotinës dhe Jarositit me dyshimet se ne, Bordi i Përkohshëm Mbikqyrës në “Trepça”, Sh.A, kemi ngritur dyshimet tona mbi keqpërdorimet në këtë process”, thuhet në komunikatë.

Ata thonë se deponimi i kësaj dosje bëhet me qëllim të ruajtjes së pasurive publike të Trepçës dhe synon të vendos ligjshmërinë në ndërmarrje.

Komunikata e plotë:

Komunikatë për medie nga Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës në “Trepça” Sh.A.

Me qëllimin të moskeqkuptimit apo të interpretimit gabimisht nga opionioni publik, duke patur parasysh edhe qartësimin e proceseve tjera që janë duke u zhvilluar në “Trepça” Sh.A, Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i “Trepça” Sh.A e informon opinionin publik se:

Me datën 14.09.2021 me kërkesë të Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës, “Trepça” Sh.A ka deponuar dosjen pranë Drejtorisë së Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë për rastin e shitjes së mbetjeve industriale të “Trepça” Sh.A, përkatësisht procesin e shitjes së Piritit, Pirotinës dhe Jarositit me dyshimet se ne, Bordi i Përkohshëm Mbikqyrës në “Trepça”, Sh.A, kemi ngritur dyshimet tona mbi keqpërdorimet në këtë proces.

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i “Trepça” Sh.A si përfaqësues i aksionarit (Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe punëtorëve) është i vendosur të mbroj pasurinë publike dhe të vendosë ligjshmërinë në ndërmarrjen “Trepça” Sh.A.