Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me homologun hungarez, András Baka, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Sipas komunikatës, Presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se ky shtet ishte ndër të parët që e njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008.
Ajo ka shprehur interesimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushat e ekonomisë, arsimit dhe mbrojtjes.
Në takim është diskutuar edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës, me ç’rast Shiroka Pula ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i vendit.
“Presidentja Shiroka Pula theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Kosovës, ndaj kërkoi mbështetjen e Hungarisë për avancimin e vendit drejt statusit të kandidatit për anëtarësim dhe hapave të mëtejshëm të procesit integrues”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Presidentja e Kosovës ka shprehur mirënjohje për kontributin e Hungarisë në misionin e KFOR-it, duke vlerësuar rëndësinë e tij për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Në përfundim të takimit, Shiroka Pula e ka ftuar homologun hungarez, András Baka, për vizitë në Kosovë, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët.
































