Republika Serbe, entiteti serb i Bosnjë dhe Hercegovinës, shënoi më 9 janar “ditën kombëtare”, një festë kjo e shpallur antikushtetuese.
Ky kremtim vjen në një kohë të paralajmërimeve ndërkombëtare për rritjen e synimeve politike të liderit të entitetit, Millorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja.
Ambasada Amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) njoftoi se Gjykata Kushtetuese e vendit theksoi qartë në disa vendime se festimi i Ditës së Republika Sërpskas (RS) më 9 janar është jokushtetues.
“Problemi nuk qëndron tek kremtimi i festës, por tek vendimi për ta festuar atë më 9 janar. Lidhja e atij kremtimi me një festë fetare ortodokse është në kundërshtim me disa dispozita të Kushtetutës së BeH, të cilat ndalojnë diskriminimin. Kjo është çështje e ligjit, jo e mendimit të dikujt”, theksohet në deklaratë, raporton Klankosova.tv.
Ata shtuan se neni 3 i Kushtetutës së Dejtonit përcakton se njësitë duhet të respektojnë plotësisht vendimet e institucioneve të BeH, duke përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të BeH.
“Sipas Kodit Penal të Bosnjë-Hercegovinës, mospublikimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës përbën vepër penale. Dhe kjo është çështje e ligjit, jo e mendimit të dikujt”, kanë thënë nga Ambasada Amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë.
SHBA, theksohet, pret që institucionet përkatëse ligjzbatuese dhe gjyqësore të kryejnë hetim për çdo rast të shkeljes së ligjit në lidhje me festimin e Ditës së RS më 9 janar.
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Julian Reilly, tha sot se festimi i 9 janarit si Dita e Republika Sërpskas shkel disa dispozita të Kushtetutës së BeH, veçanërisht ndalimin e diskriminimit.
“Përzgjedhja e kësaj date specifike favorizon një grup etnik mbi të tjerët dhe shkel disa dispozita të kushtetutës së BeH, veçanërisht ato që lidhen me ndalimin e diskriminimit”, tha Riley në rrjetin X.
Ai shtoi se kushdo që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH nga 2015 dhe 2019, minon sundimin e ligjit dhe potencialisht kryen një vepër penale.
“Frikësimi i të kthyerve ose komuniteteve të pakicave është i papranueshëm kudo dhe autoritetet përgjegjëse duhet të veprojnë për ta parandaluar atë”, theksoi Ambasadori Britanik.
Sipas tij, një BeH e qëndrueshme dhe e begatë duhet të ndërtohet mbi respektin, bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta.
Reagim pati edhe nga BE-ja, e cila tha se e ka mbrojtur gjithmonë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues dhe njohjen ndërkombëtare të Bosnjë e Hercegovinës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se të gjithë aktorët politikë, veçanërisht ata të Republikës Sërpska, duhet të përmbahen nga retorikat dhe veprimet provokuese, që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial në Bosnje Hercegovinë.
Ndër tjera, ai shtoi se legjitimiteti i Republika Sërpskas nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje Hercegovinës.
“Dhe mund të përsëris, BE-ja këmbëngul që të gjithë akterët në Bosnjë dhe Hercegovinë të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Çdo veprim që do të shkonte kundër këtyre parimeve do të çonte në pasoja të rënda”, ka thënë Stano.
Nëntë janari shënon ditën kur serbët e Bosnjës më 1992, të cilët e kundërshtuan pavarësinë e Bosnjës pas shkëputjes së saj nga Jugosllavia, deklaruan shtetin e tyre të ndarë, duke nxitur një luftë ndëretnike e cila ua mori jetën më shumë se 100.000 njerëzve dhe u ndal vetëm pas Marrëveshjes së Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, në fund të vitit 1995, shkruan REL.
Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja administrohet nga një Qeveri qendrore nën udhëheqjen e një federate boshnjake dhe kroate dhe një entiteti me shumicë serbe, i njohur si Republika Sërpska.
Në entitetin serb të Bosnjës, 9 janari shënohet si ditë kombëtare, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur atë festë antikushtetuese dy herë.
Kjo festë e ndaluar është shënuar në kryeqytetin e entitetit serb, Banjallukë, me marshime dhe paradë të policisë së armatosur. Në paradën e mbajtur u panë edhe flamuj me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin, ndërkaq në të morën pjesë edhe anëtarët e klubit të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, klub i afërt me udhëheqësin rus.
Në këtë festë morën pjesë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, ministrat e Qeverisë së Serbisë, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, dhe patriarku e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Gjatë hapjes së festimeve, Dodik ia ndalu dekoratën më të lartë të entitetit serb kryeministri hungarez, Viktor Orban.
“Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka pranuar çmimin më të lartë të Republikës Sërpska. Është krenari e Republikës Sërpska që ta nderojë njeriun që na konsideron dhe respekton ne si realitet politik”, tha Dodik.
Gjatë dy vjetëve të fundit, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është përpjekur vazhdimisht ta rrënojë autoritetin e Qeverisë qendrore të Bosnjës dhe të themelojë institucione paralele për t’i rritur kërcënimet e tij të kamotshme për ta ndarë vendin përherë.
Orban po ashtu është mik i ngushtë i Putinit dhe ka mosmarrëveshje me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës. /rel/Klankosova.tv


















