Serbia nesër fillon kthimin e diplomatëve në Shkup

E publikuar: 23/08/2017 18:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Diplomatët serbë nesër do të fillojnë të kthehen në Ambasadën në Shkup, ndërkohë që shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq dhe homologu i tij maqedonas Nikola Dimitrov do të takohen të premten në Nish, për të nisur zgjidhjen e çështjeve të hapura me qëllim të avancimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Siç është bërë e ditur nga Ministria e Jashtme e Serbisë, pas bisedës telefonike Daçiq- Dimitrov, nesër do të fillojë kthimi i personelit të ambasadës në Shkup, ndërsa kthimi i ambasadorit serb është paralajmëruar për datën 31 gusht.

Sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev kanë biseduar “gjatë dhe hapur” dhe kanë shqyrtuar të gjitha rrethanat e krijuara, pas tërheqjes së personelit nga Ambasada serbe në Shkup .

Në deklaratën e përbashkët thuhet se presidenti serb dhe kryeministri maqedonas kanë arritur pajtim për pesë pika, por aty nuk përmendet Kosova.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk do të ishte e çuditshme nëse Maqedonia do të mbështeste pranimin e Kosovës në UNESCO. Ai ka thënë se “dëshiron që në Shkup ta dinë se ne i dimë të gjitha”.

Serbia ka tërhequr personelin nga ambasada e saj në Shkup të dielën e kaluar, duke kërkuar siguri më të madhe.