Në një raport të publikuar nga Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut (YIHR), është bërë e ditur se 3.370 shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë nga listat e votimit në Serbi.
Raporti “Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese,” i prezantuar javën e kaluar në Beograd, thekson se pasivizimi i adresave është përdorur si një mjet politik për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike në jug të Serbisë.
Marko Millosavjelviqi, prezantuesi i raportit, theksoi se humbja e adresave për shqiptarët në Luginën e Preshevës ka pasojat e pamundësisë për punësim, martesë, blerje pronash, regjistrim të makinave dhe pjesëmarrje në zgjedhje.
Ai po ashtu thekson paradoksin që viktimat e pasivizimit janë shpesh pronarë apo bashkëpunëtorë të pronave që paguajnë taksa ndaj shtetit, megjithatë, të drejtat e tyre themelore të njeriut vazhdimisht neglizhohen nga zyrtarët serbë.
“Paradoksi është se viktimat e abuzimit me procesin e pasivizimit janë shpeshherë pronarë ose bashkëpunëtorë të pronave, apartamenteve dhe stepive për të cilat ata paguajnë taksa ndaj shtetit. Edhe pse të drejtat themelore të njeriut qartazi janë të kërcënuara, zyrtarët serbë e mohojnë këtë vite me radhë”, ka thënë Millosavjelviqi.
YIHR thekson se të dhënat janë grumbulluar nëpërmjet intervistave me banorët, dhe 72% e tyre kanë njoftuar për pasivizimin e adresave vetëm verbalisht.
Shefja e Departamentit të Ankesave në ekipin e Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë, Rejla Pantiq, ka shtuar se kjo tregon se duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje shtrirjes së diskriminimit.
“Ankesat për diskriminim dominohen nga ankesat për diskriminim në bazë të kombësisë, që është 16 për qind. Nga kjo, vetëm një ankesë lidhet me diskriminimin ndaj shqiptarëve”, ka thënë Pantiq.
Iniciativa u ka bërë thirrje autoriteteve të Serbisë t’i hetojnë pasivizimet e adresave të shqiptarëve dhe t’i publikojnë statistikat e qytetarëve sipas përkatësisë etnike, që janë pasivizuar nga 2012-a në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.
Përfaqësues politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë shprehur disa herë këtë problematikë.
Ndërsa ankesa për fshirjen nga lista e votimit të shqiptarëve në Luginë ka pasur edhe më herët.
Zgjedhjet paralamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor.
















