Selim Pacolli prezanton projektet për parkun e Gërmisë

E publikuar: 02/10/2017 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli, vizitoi sot parkun e Gërmisë dhe foli për disa pika të rëndësishme të programit të tij si kryetar i ri i Prishtinës, ku më të rëndësishmen theksoi përmirësimin e gjendjes sëkëtij parku i cili frekuentohet shumë nga qytetarët, raporton infosot.

“Sot jemi këtu për të shpalosur programin tonë për ambientin dhe mjedisin. Sigurisht se Gërmia njihet si pika më e bukur në qytetin e Prishtinës, duke pasur parasysh se qyteti i Prishtinës dy herë është trajtuar si qyteti më i papastër, qyteti me ambientin më të ndotur në glob atëherë synimet tona janë që t’u kthehet qytetarëve të Prishtinës jeta me ajër të pastër” tha Pacolli.

Po ashtu si pikë të rëndësishme ai ceku edhe sjelljen e një ambulance mjekësore për qytetarët të cilët e shfrytëzojnë parkun e Gërmisë.

“Ne parashohim për qytetarët e Prishtinës ose për ata të cilët e shfrytëzojnë parkun e Gërmisë një ambulancë mjekësore mobile që do të ju vijë në mbrojtje të gjithë qytetarëve të cilët kanë nevojë për raste emërgjente. Një ambulancë mjekësore mobile është më se e domosdoshme dhe ajo do të jetë prezente çdo herë” theksoi zt.pacolli.
Për më tepër zt.Pacolli shtoi se do të parandalohet ndotja e këtij ambienti që shërben si zonë rekreative.

“Parashohim për parkun e Gërmisë fillimisht një transport ekologjik, ku janë shumë qytetarë të cilët përdorin makinat e veta, që janë ndërë ndotësit kryesorë. Në implemetimin e këtij projekti parashohim parandalimin fillestar të ndotjes të kësaj pjese ku është e vetmja pjesë që frekuentohet nga qytetarët e Prishtinës gjatë vikendeve, që është zonë rekreative” shtoi Pacolli.
Ai më tutje ceku edhe çështjen e pishinës së Gërmisë e cila shfrytëzohet vetëm gjatë sezonit të verës. Zt. Pacolli parasheh që në atë pishinë të mos shkarkohet uji, mirëpo ajo të jetë funksionale edhe gjatë sezonit të dimrit ku mund të shndërrohet në patinazh që do të jetë e mirëseardhur për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Gjithashtu zt. Pacolli parasheh që në parkun e Gërmisë të bëhet një teleferik i cili do të mund të funksionalizohet me investim minimal dhe të jetë në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.