Rruga plotë mjegull e Kosovës deri te vizat, lexojeni raportin e detajuar

E publikuar: 22/06/2018 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosovës assesi t’i ndriçohet rruga kur është fjala për procesin e liberalizimit të vizave. Aktualisht vendi është duke pritur një vlerësim të Komisionit Europian që besohet se do të japë dritën jeshile për heqjen e vizave. Hapi i radhës është Parlamenti Europian ku besohet se nuk do të ketë shumë pengesa për shkak të disponimit që aty ekziston ndaj Kosovës. Por, kur topi të kalojë në terrenin e shteteve anëtare gjërat pritet të komplikohet. Sa i përket vizave, Kosova ka kundërshtarë edhe tek shtetet që e kanë njohur pavarësinë ku rekomandohet edhe lobimi.

Por, pika më e paqartë për kosovarët mbetet afati kohor se kur Kosova do të futet në listën e bardhë të Schengen, nëse pikënisja është që tashmë përgjithësisht besohet se vizat do të hiqen.

“Grupi i Ballkanit” që drejtohet nga Naim Rashiti ka përgatitur një raport të titulluar “Rruga e gjatë e Kosovës për udhëtim pa viza” ku shpjegohen procedurat e mëtejme të mbetura për këtë proces. Por, asgjë nuk mund të thuhet me saktësi. Grupi i Ballkanit thotë se është e vështirë të parshikohet sa do të zgjas procesi.

GB ka rekomanduar lobim për këtë proces tek disa vende skeptike.

“Franca, Holanda, Belgjika dhe disa skeptikë të tjerë brenda BE’së duhet të jenë në listën kryesore të lobimit”, thuhet në raport.

Sipas, GB, shtetet që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, nuk pritet të shkaktojnë telashe, siç dihet disa prej tyre njohin pasaportën e Kosovës, përveç Spanjës e cila ka qëndrim rigjid, shkruan Gazeta Express.

“Pesë shtetet e BE-së të cilat nuk e njohin Kosovën, përveç Spanjës, nuk pritet të shkaktojnë probleme. Ish-qeveria e Madridit bëri maksimumin për të dëmtuar Kosovën dhe Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje. Disa sugjerojnë se Madridi mund të kërkojë largimin e Spanjës nga lista e vendeve të Shengenit, zonë ku bartësit e pasaportave të Kosovës mund të udhëtojnë. Burokratët e BE-së këmbëngulin se kjo është e pamundur dhe e panevojshme” thekson GB.

Në raport mund të lexoni të detajuar procesin e vendimmarrjes në institucionet e BE’së, krahasimet me Gjeorgjinë dhe Ukrainën të cilave u ishte rekomanduar lëvizja pa viza në të njëjtën kohë, pak a shumë, me Kosovë e cila kishte mbetur në limbo gati për shkak se nuk kishte ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi./GazetaExpress/